Sërish President
AKR rizgjodhi për President të vetin Behxhet Pacollin, në Kuvendin e Tretë Zgjedhor. Pa kundërkandidat. Vetë ai tha se do ta dëshironte një garë. Megjithatë, i lumtur, pohoi se do të punojë për shtetndërtimin e Kosovës.

Lajme
Aleanca Kosova e Re ka zgjedhur President të saj Behxhet Pacollin, në Kuvendin e Tretë Zgjedhor, i cili u mbajt në Sallën 1 Tetori, në Prishtinë.
Kjo është hera e dytë që ai merr besimin e AKR’së.
Ai nuk pat kundërkandidat.
Pacolli është shprehur i lumtur që do të jetë përsëri i pari i partisë dhe deklaroi se do të vazhdojë të kontribuojë në shtetndërtimin e Kosovës.
“Ju premtoj se do të jem i hapur, i sinqertë, do jem aty për ju, do jem aty ku është interesi i AKR’së, aty ku është interesi i qytetarit.”
“Unë do të doja shumë të isha i informuar që vërtet do të ketë kundërkandidat, që t`i nënshtrohem votës së shenjtë. Por, jam i lumtur që do të bashkëpunojmë së bashku, që ne si parti liberal-demokratike synojmë të perfeksionohemi. Të kishit menduar që të kishte dy a më tepër kandidatë, do ishte dëshira ime.”
“Unë si President i AKR’së do vazhdoj me kursin tonë europian. AKR është parti shtetndërtuese, pasi procesi i shtetndërtimit po vazhdon dhe ne do japim kontributin tonë.”
Bexhet Pacolli, po ashtu, u shpreh i bindur se në zgjedhjet e 3 nëntorit do të fitojë në komunat me privilegj.
“Komunat që ne do i fitojmë – do jenë komuna të privilegjuara, ne jemi njerëz të suksesit, ne nuk e durojmë humbjen, nuk e dimë çka është humbja, ne duam sukses”.