Serbia gjen ngushëllim te Botsuana – e falënderon që vazhdon të mos e njohë realitetin se Kosova është shtet
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi sot se Botsuana ka riafirmuar mbështetjen e saj për qëndrimin serb lidhur me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një akt miqësie dhe partneriteti. Sipas tij, Serbia dhe Botsuana ndajnë të njëjtin qëndrim për rëndësinë e “respektimit të së drejtës ndërkombëtare” si bazë për ruajtjen e paqes…
Lajme
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi sot se Botsuana ka riafirmuar mbështetjen e saj për qëndrimin serb lidhur me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një akt miqësie dhe partneriteti.
Sipas tij, Serbia dhe Botsuana ndajnë të njëjtin qëndrim për rëndësinë e “respektimit të së drejtës ndërkombëtare” si bazë për ruajtjen e paqes globale, transmeton lajmi.net.
Ministri i Jashtëm i Botsuanës, Phenyo Butale, tha se të dy vendet bashkohen në respektimin e integritetit territorial dhe parimeve ndërkombëtare, duke nënvizuar se këto vlera përbëjnë themelin e politikës së jashtme të Botsuanës.
Në konferencën e përbashkët për media, Gjuriq pretendoi se Botsuana ka qenë “konstante” në mbështetjen e saj për pozicionin serb lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën Beogradi e quan “të njëanshme”.
Ai shtoi se e ka informuar homologun e tij për zhvillimet e fundit në Kosovë, duke e cilësuar si thelbësore mbështetjen e Botsuanës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.
Gjuriq e mbylli deklaratën duke theksuar se Serbia dhe Botsuana, sipas tij, ndajnë një vizion të përbashkët për rëndësinë e së drejtës ndërkombëtare në marrëdhëniet ndërkombëtare — një deklaratë që vjen në vijim të qasjes së tij tashmë të njohur ndaj çështjes së Kosovës./lajmi.net/