Sekretet e EULEX-it në duart e BIA-s

Informacione sekrete të EULEX-it kanë përfunduar në zyrat e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë të Serbisë (BIA). 

Lajme

31/10/2014 08:00

Për këtë kanë qenë të njoftuar zyrtarët më të lartë të këtij misioni nga prokurorja Maria Bamieh, shkruan të premten Koha Ditore, në vazhdimin e pestë të serisë së shkrimeve për dyshime “të forta” të korrupsionit në EULEX.

Në kuadër të raportit për korrupsion në këtë mision, prokurorja britanike, Bamieh, i kishte shkruar shefit të komponentit të EULEX-it për drejtësi, Silvio Bonfigli, se informacione të ndjeshme kishin rrjedhur nga misioni.

Por sipas saj, nuk ishin kryer hetime për shkak se paraardhësi i Bonfiglit, Alberto Perduca, kishte thënë se “mund të hidhërohen serbët”.

Bamieh, prokurore britanike që në EULEX ka qenë prej fillimit të këtij misioni, kishte shkuar personalisht te Perduca për ta njoftuar atë për këto informacione.

Në dosjen që ka siguruar kjo gazetë nuk saktësohen se për çfarë informatash bëhet fjalë, por gazeta mëson se ato ishin dhënë njërit prej agjentëve të BIA-s, i cili ishte arrestuar më 12 qershor 2009 së bashku me dy kolegë të tij, duke ofruar shuma të mëdha parash deri në 100 mijë euro në këmbim të “dëshmive” kundër ish-pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që kishin të bënin me dyshimet e ngritura nga Dick Marty për “heqje dhe trafikim të veshkave”.