Sekretari Reçica e sfidon edhe autoritetin më të lartë të prokurimit për Autostradën e Gjilanit

Në ditën e fundit të vitit 2019, më 31 dhjetor, Ministria e Infrastrukturës ka hapur tender me titull “Ndërtimi i Autoudhës A7.1” –pjesa e dytë. Vlera e këtij projekti është përllogaritur 110 milionë euro. Më të ardhur në pushtet, ministri, Lumir Abdixhiku ka kërkuar anulimin e tenderit, pasi ka konsideruar se është bërë në kundërshtim me ligjin.

Lajme

18/02/2020 21:30

Abdixhiku u thirr në ligj, duke konsideruar se për këtë thirrje kanë munguar mjetet e zotuara, dhe sipas tij, duhet të anulohet deri në miratimin e buxhetit 2020. Nga ana tjetër, sekretari i ministrisë, Betim Reçica është duke e sfiduar vendimin e ministrit. Me urdhrin e tij, tenderi nuk është anuluar, por vetëm janë duke u bërë disa ndryshime, pasi ka pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit kur janë vendosur kriteret për këtë tender. Sekretari Reçica po konsideron se ky tender është hapur mbi bazën ligjore, shkruan lajmi.net

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP është institucioni më i lartë mbikëqyrës për zbatimin e ligjit të Prokurimit publik në institucionet publike.

Ky institucion, në fund të muajit janar 2020 ka konsideruar se Ministria e Infrastrukturës e ka shpallur këtë tender në kundërshtim më ligjin.

Lajmi.net e ka siguruar një kopje të letrës se KRPP-së dërguar, drejtoreshës së prokurimit, Valmira Bllaca dhe sekretarit të ministrisë, Betim Reçica me datën 27.01.2020, ose disa ditë para se të niste punën ministri i ri.

Sipas KRPP-së, ministria është obliguar që para fillimit të inicimit të këtij aktiviteti të prokurimit të përmbushë kërkesat e nenit 9 të LPP-së dhe kërkesat e nenit 20 paragrafi 11 pika e Rregullores mbi prokurimin publik. Sipas KRPP-së, inicimi dhe ekzekutimi i cilitdo aktivitet të prokurimit në kundërshtim me këto dispozita ligjore konsiderohet kundërligjor dhe përgjegjësia mbetet mbi zyrtarët e aktiviteteve kontraktuese.

“KRPP me aq sa ka parë në Ligjin që jeni thirrur 06 L -133 i vitit 2019 nuk ka vërejtur se asnjë projeksion në planifikimin buxhetor lidhur me këtë projekt, andaj lidhur me projektet afatgjata, planifikimi dhe përmbushja e kërkesave të DNDF, KRPP me datë 30.03.2017 ka publikuar interpretimin në ueb-faqen e sajë, të informatat për Autoritet kontraktuese të cilin ju përcjellim më poshtë: Para inicimit të cilitdo aktivitet të prokurimit duhet të përmbushen saktësisht të gjitha kërkesat e nenit 9 të LPP-së. Mos përmbushja ë të gjitha kresave (paragrafëve) nga neni i caktuar më lartë përbënë shkelje serioze të dispozitave të LPP-së dhe legjislacionit dytësor për prokurimin publik si dhe dispozitave të Ligjit mbi Menaxhimin e Financave Publike”, nisë letra e KRPP-së për MIT.

Në letër thuhet se KRPP, në veçanti rikujton autoritet kontraktuese se mos respektimi i paragrafëve 2 dhe 3 të nenit 9 të LPP-së, përkatësisht inicimi i aktivitetit të prokurimit pa siguruar mjetet financiare (në pajtim me paragrafin 2 të nenit 2 të nenit 9 të LPP-së) dhe /ose duke aplikuar paragrafin 3 të nenit 9 dhe për projektet të cilat teknikisht do të duhej implimentuar gjatë vitit fiskal ( projektet të cilat nuk i takojnë kësaj kategorie -trajtimi i projekteve shumëvjeçare vetëm shkak të mungesës së mjeteve buxhetore) konsiderohen shkelje të legjislacionit për prokurimin publik dhe legjislacionit mbi menaxhimin e financave publike.

“Me qellim të evitimit të cilësdo paqartësi ligjore lidhur me këtë çështje, KRPP ju rikujton si në vijim: 1. Para se fillohet me ushtrimin e çfarëdo aktiviteti të prokurimit, ZKA si autoritet kontraktues duhet të sigurojë që të bëhet një vlerësim formal i nevojave (paragrafi I i nenit 9 të LPP-së).

  1. Nëse pas vlerësimit të nevojave, ZKA vendos se vlerësimi i nevojave e arsyeton ushtrimin e aktivitetit të prokurimit, ZKA i dërgon një kopje të këtij vlerësimi ZKF-së të autoritetit kontraktues. ZKF siguron se ka mjete financiare në prokurimin përkatës. Nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik ose organizatat buxhetore, ZKF në pajtim me dispozitat e aplikueshme të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë dhe Rregullat Financiare do të sigurojë nëse janë ndarë mjete të mjaftueshme financiare për prokurimin përkatës në shumë të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve që mund të dalin si rezultat i prokurimit në fjalë gjatë vitit fiskal. 3. Ndërsa në rast se prokurimi përkatës do të shkaktojë ngritjen e obligimeve financiare të cilat do të përmbushën nga ndarja buxhetore që pritet të bëhet në vitin e ardhshëm fiskal”, thuhet tutje në letër.

Tutje, shkresa e KRPP-së thotë se, sipas nenit 20 paragrafi 11 pika k, të Rregullave dhe UOPP, kërkohet që autoritet kontraktuese saktësisht të caktojnë datën e fillimit dhe mbarimit të implementimit të projektit –kontraktues.

“AK duhet të përgatisë planifikimet e kërkuara në mënyrë profesionale dhe ligjore duke identifikuar në mënyrë detale ( në një nivel të arsyeshëm) të gjitha furnizimet, shërbimet dhe punët që autoriteti kontraktues synon ti prokurojë gjatë vitit të tillë fiskal. Autoriteti Kontraktues duhet të përgatis dhe dorëzojë së bashku me Planifikimin detal edhe Planin e Prokurimit me të cilin do të përcaktohen qartë afatet (periudha) kur priten të realizohen aktivitet e prokurimeve të planifikuara për vitin në vijim”

Në mbledhjen e të gjitha atyre që u thanë më lartë, KRPP, konsideron se Autoriteti Kontraktues është obliguar që para fillimit të inicimit të një aktivitetit të prokurimit të përmbushë kërkesat e nenit 9 të LPP-së dhe kërkesat e nenit 20 paragrafi 11 pika k e Rregullores mbi prokurimin publik.

“Po ashtu, autoritet kontraktuese duhet të plotësojnë dhe respektojnë edhe dispozitat e Ligjit dhe rregullave mbi menaxhimin e financave publike. Inicimi dhe ekzekutimi i cilit do aktivitet të prokurimit në kundërshtim me këto dispozita ligjore konsiderohet kundërligjorë dhe përgjegjësia mbetet mbi zyrtarët e aktiviteteve kontraktuese”, përfundon letra e KRPP-së.

Në fillim të muajit janar 2020 lajmi.net kishte raportuar se qeveria në ikje e kishte hapur këtë tender pa u miratuar buxheti.

Po ashtu, lajmi.net ka raportuar edhe për shkeljet që janë bërë gjatë hapjes së këtij tenderi. /Mentor Buzhala –Lajmi.net/