Sekretari i MIT kacafytet me biznesmenin për tenderin e autostradës së Gjilanit

Një përplasje e madhe ka nisur në mes të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica dhe ministrit të ri të kësaj ministrie, Lumir Abdixhiku. Sherri kryesor është bërë tenderi i autoudhës A7 ose i njohur ndryshe si pjesa e dytë e vazhdimit të Autostradës së Gjilanit.

Lajme

15/02/2020 16:59

Sekretari Betim Reçica është duke sfiduar ministrin Lumir Abdixhiku për këtë tender. Ai nuk po pranon që të anulohet kjo procedurë tenderuese e cila është në fazën e thirrjes.

Pos arsyetimit të ministrit se thirrja është bërë kundërligjshëm, pa zotim të fondeve, tenderi në start ishte hapur duke u bërë shkelje serioze të Ligjit të Prokurimit Publik. Rrjedhimisht duke u vendosur kritere që favorizojnë kompani të caktuara. Këto shkelje i kishte vërejtur kompania “2A Group” me pronar, Valon Ademi dhe i kishte paraqitur në ministri. Ministria ka pranuar që ka bërë shkelje dhe kishte vendosur ta korrigjojë tenderin.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica ka raportuar të enjten në Policinë e Kosovës se është kërcënuar nga disa persona.

Ai ka thënë se është kërcënuar dhe fyer nëpërmjet telefonit nga pronari i kompanisë “2A Group”, Valon Ademi.

Duket se përplasja është bërë krejt për shkak të këtij tenderi. Kjo pasi, kompania “2A Group” dhe kompania “Jaha Company” të cilat kanë qenë të interesuara që të garojnë në këtë tender, duke parë dosjen e tenderit, dhe kriteret e vendosura nga ministria aty, kanë konsideruar se kriteret nuk qenë në përputhje me ligjin, andaj janë ankuar në zyrën e prokurimit.

Këto dy kompani kanë konsideruar se gati e tërë dosja e tenderit ka qenë diskriminuese ose favorizuese për kompani të caktuara. Konkretisht kanë konsideruar se janë shkelur neni 7 –Barazia në Trajtim /jo –diskriminim, neni 68 –gjendja ekonomike dhe financiare, neni 69 –aftësia teknike dhe /ose profesionale, neni 71 –grupet e operatorëve ekonomik dhe operatorët e huaj ekonomik.

Më datë 24 dhe 28 janar Ministria ka nxjerr vendim për pezullimin e procedurës së prokurimit deri në shqyrtimin e ankesave të këtyre dy kompanive.

 

Më datën 2 shkurt ishte arritur marrëveshja për koalicion ndërmjet LVV-LDK dhe të nesërmen, me datë 3 shkurt, drejtoresha e prokurimit, Valmira Bllaca ka nxjerrë Vendim mbi Aprovimin e ankesës së operatorëve ekonomik “2A Group” dhe “Jaha Company”. Andaj, ka vendosur që të përmirësojnë dosjen e tenderit, pasi e kanë pranuar se ka pasur shkelje të rënda në përpilimin e kritereve për këtë tender.

“Autoriteti kontraktues në bazë të kërkesave për Ri-shqyrtim ju njofton që të Premten me datë 07.02.2020 do të bëjë përmirësimin e Dosjes së Tenderit”, thuhej në vendimin e ministrisë.

Po më datën 3 shkurt, Autoriteti Kontraktues ka lëshuar njoftim për operatoret ekonomik të interesuar për këtë thirrje se dosja e tenderit është duke u përmirësuar dhe se do të publikohet të premten.

Ndërkohë dosja e tenderit e korrigjuar është publikuar më datë 10 shkurt ( e hënë).

Ndërsa më datën 11 shkurt është publikuar në ueb-faqen e KRPP-së edhe një njoftim i titulluar “Formulari standard për korrigjimin e gabimeve ne njoftimet e publikuara).

Duhet thënë se kompania “A2 Group” e pati fituar një tender lot 4 për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit –pjesa e parë. Po ashtu, më vonë edhe një lot për zgjerimin e rrugës nacionale Gjakovë -Klinë.

Megjithëkëtë, kabineti i ri i ministrit Abdixhiku po pretendon që tri ligje e disa rregullore i ka shkelur Ministria e Infrastrukturës kur ka vendosur të hapë tenderin 110 milionë euro për autostradën e Gjilanit.

Nga ana tjetër, ministri Abdixhiku ka kërkuar nga Prokuroria Speciale njoftim lidhur me atë se a është duke u zhvilluar hetim për ndonjë vepër penale ndaj sekretarit Reçica. Ndërkohë, lajmi.net ka raportuar në vazhdimësi se ndaj sekretarit, drejtoreshës së prokurimit dhe disa zyrtarëve tjerë ekzistojnë disa kallëzime penale për shkelje dhe ndërhyrje në disa tender. Madje, shkeljet me serioze pretendohet të jenë lidhur me tenderin e Autostradës së Gjilanit –pjesa e parë, për të cilin ka dorëzuar kallëzim penal Policia e Kosovës në Prokurorinë Speciale. /Lajmi.net/