Sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Lammy, nesër në vizitë zyrtare në Kosovë – Presidenca njofton për takimin me të

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, do të vizitojë nesër Kosovën në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe diskutimeve mbi çështjet rajonale dhe sigurinë. Vizita e tij vjen në një kohë kur Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e shitjes së armëve për Kosovën. Ky zhvillim ishte bërë i ditur disa…

Lajme

01/04/2025 20:13

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Lammy, do të vizitojë nesër Kosovën në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe diskutimeve mbi çështjet rajonale dhe sigurinë.

Vizita e tij vjen në një kohë kur Britania e Madhe po shqyrton mundësinë e shitjes së armëve për Kosovën. Ky zhvillim ishte bërë i ditur disa javë më parë nga Ministrja britanike e Shtetit për Prokurimin e Mbrojtjes, Maria Eagle, e cila njoftoi se Londra është duke eksploruar mundësinë e një marrëveshjeje për furnizimin e Kosovës me pajisje ushtarake.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Lammy pritet të takohet me zyrtarë të lartë të vendit, ku në fokus të diskutimeve do të jenë çështjet e sigurisë, mbrojtjes dhe bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe.

Kjo vizitë konsiderohet e rëndësishme në kontekstin e rritjes së përkrahjes ndërkombëtare për Kosovën dhe forcimit të kapaciteteve të saj mbrojtëse.

Presidenca e Kosovës ka njoftuar se presidentja Osmani nesër do ta takojë Sekretarin e Jashtëm, Lammy, dhe pas takimit do të japin deklarata për mediat në lidhje me rezultatet e bisedimeve dhe hapat e ardhshëm në marrëdhëniet dypalëshe.