Seanca konstitutive më 12 shtator?

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten e javës së ardhshme, përkatësisht me 12 shtator.

Lajme

02/09/2014 18:46

Siç raporton RTV 21, duke u thirrur në burime brenda PDK-së vazhdimi i seancës konstituive pritet të mbahet më 12 shtator, ndërkaq, një takim konsultativ në mes liderëve është paralajmëruar se do të thirret këtë të enjte nga kryesuesja Flora Brovina.

Në këtë seancë do të përballen sërish partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe PDK-ja në anën tjetër, duke dashur që të zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Ajo pritet të sjellë zhvillime interesante për faktin së të dy blloqet politike janë betonuar në qëndrimet e tyre sa i përket zgjedhjes ës kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës, hedhë poshtë çdo mundësi që kreun e Kuvendit ta zgjedh blloku politik LDK-AAK-nisma, ndërsa këta të fundit thonë se nëse PDK dështon ta zgjedh kandidatin e saj ata do ta zgjidhin këtë situatë.

PDK nga ana tjetër paralajmëron bllokun të mos bëjë sërish shkelje kushtetuese.

PDK dhe blloku LDK-AAK-Nisma do të ballafaqohet në vazhdimin e seancës konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Burime brenda PDK-së thonë se seanca sipas të gjitha gjasave do të mbahet të enjten e ardhshme.

Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK-së thotë se “PDK-ja porosit partitë e bllokut që të mos tentojnë sërish ta shkelin kushtetutën pasi që situata është e qartë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Edhe partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma mbeten të palëkundura në qëndrimin e tyre. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se dështimi i PDK-së në mungesë të numrave është rast për bllokun,ndërsa thotë se PDK nuk mund ta dërgoj sërish në kushtetuese votimin e kandidatit të bllokut.

Krasniqi e Isufi presin që ngërçi politik të marrë fund më së voni në fund të javës së ardhshme, ndërsa asnjëra palë zgjedhjet nuk i shohin si opsion të mundshëm në këtë fazë.

Seanca konstituive pritet të nxjerrë në sipërfaqe edhe skenarët që deri më tash nuk janë bërë publik. Sipas njohësve të rrethanave pos mundësisë që PDK-ja të dështojë ta zgjedh kandidatin e saj për kryetar të kuvendit, dhe deputetët e bllokut të votojnë për kandidatin e tyre siç ndodhi në seancën e kaluar, pjesë e skenarit, sipas të njëjtave burime, mund të jetë edhe një marrëveshje politike ndërmjet PDK-së dhe bllokut LDK-AAK-NISMA, natyrisht me trysninë e ndërkombëtarëve, raporton RTV21.