Sarrazin hedh poshtë kërkesat e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE: Kosova të bëj gjithçka që mundet për t’i bindur ministrat

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin në një intervistë për EWB ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kërkesat që Serbia ka listuar drejt saj. Ai ka thënë se kërkesat e Serbisë nuk janë edhe të shtetit gjerman, dhe sipas tij Kosova duhet të bëj gjithçka që mundet për të bindur Këshillin e…

Lajme

24/04/2024 16:19

Emisari gjerman, Manuel Sarrazin në një intervistë për EWB ka folur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kërkesat që Serbia ka listuar drejt saj.

Ai ka thënë se kërkesat e Serbisë nuk janë edhe të shtetit gjerman, dhe sipas tij Kosova duhet të bëj gjithçka që mundet për të bindur Këshillin e Ministrave.

“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare. Dhe ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Natyrisht, ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës. Dhe ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë me Këshillin e Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës. Më duhet të rrëfej se nuk mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës. Në përgjithësi, situata e ballafaqimit me minoritetet në Kosovë është shumë relevante. Por Kosova ka obligim nga marrëveshjet e Brukselit të arritura në vitin 2011 dhe 2013 si dhe nga marrëveshja e Ohrit për të zbatuar ASMM. Ajo që është e qartë është se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila përfshin themelimin e ASMM”, ka thënë Sarrazin. 

Kosova tani më ka kaluar me sukses hapin e dytë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke u votuar pro saj në Asamblenë Parlamentare. Hapi i fundit dhe ai përfundimtar është votimi nga Këshilli i Ministrave.