Sanksionet na mbetën n’derë: Miliona euro mbesin të bllokuara – Paralajmërohet se vendi mund të përjashtohet edhe nga Plani i rritjes
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura një vit më parë kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit. Kështu vlerësojnë partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë, ku sipas tyre rreth 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja. Derisa ngrisin shqetësime se Kosovës mund të mos i disbursohen as mjetet nga Plani i Rritjes…
Lajme
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura një vit më parë kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit. Kështu vlerësojnë partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë, ku sipas tyre rreth 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja.
Derisa ngrisin shqetësime se Kosovës mund të mos i disbursohen as mjetet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Lidhur se në cilat projekte është prekur ekonomia e vendit dhe në çfarë më shumë, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Ekonomisë, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dy ditë më u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Ndërsa, nga mazhoranca presin që masat të hiqen dhe se humbjet gjatë periudhës 1-vjeçare janë vetëm shtatë milionë euro.
Ish-kryeministri, Avdullah Hoti thotë se për shkak të masave janë bllokuar 300 milionë euro. Kjo sipas tij i bie se janë bllokuar edhe 600 milionë euro të tjera të cilat mungojnë në qarkullimin e përditshëm ekonomik.
“Sa i përket projekteve që janë bllokuara nga masat e BE-së janë rreth 300 milionë euro… Një ekonomist me dije elementare e kupton që kur bllokohen 300 milionë euro, ato i bllokojnë edhe 300 apo 600 milionë tjera që mungojnë në qarkullimin e përditshëm ekonomik në vend, sepse kjo është edhe një nga arsyet pse ne sot kemi rritje rekord më të ulët ekonomike se sa në qeveritë e mëparshme.
Shpresoj që Kosova mos të përjashtohet përfundimisht nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor që ka BE-ja, por me këtë qasje që po shohim, vështirë të shohim diçka konkrete nga realizimi i këtij plani në rastin e Kosovës. Më vjen keq që sot nuk është materializuar, përdorur mbështetja e BE-së nga Qeveria e Kosovës, për të vazhduar autostradën deri në mendarë, 22 km që ka qenë e paraparë si mbështetje për Kosovën, ndërkohë që Serbia është duke i shfrytëzuar këto fonde për të vazhduar autostradën deri në kufi”, thotë Hoti.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj kanë dëmtuar Kosovën në aspektin ekonomik.
Ai thotë se BE-ja nuk duhet të sanksionojë Kosovën për shkak të një kryeministri, pasi në pyetje janë qytetarët e vendit.
“Duhet një angazhim permanent i qeverisë, një koordinim me faktorin ndërkombëtar e në këtë rast me Bashkimin Evropian, sepse kjo qeveri i ka sjell këto masa për mos koordinim, për pakujdesi ndaj atyre që na kanë ndihmuar dhe po investojnë në Kosovë. Ja qe kjo qeveri na ka sjellë sanksionet dhe BE nuk duhet të sanksionon Kosovën për hir të një kryeministri sepse në pyetje janë qytetarët e Kosovës, prandaj ka ardhë koha të hiqen këto masa”, thotë Lekaj.
Ndërkaq, kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Skënder Krasniqi, thotë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës po ndikojnë në moszhvillimin ekonomik të vendit.
“Ne vitin e kaluar kemi humb qindra miliona si rezultat i masave të BE-së, por edhe këtë vit jemi duke humbur, dhe mund t’i rrezikojmë edhe këto fonde që janë të BE-së për Ballkanin dhe mundet Kosova të mos përfitojë. Një rritje e bashkëpunimit e qeverisë me bizneset dhe aleatët tonë do të ndikonte që të kemi një gjendje tjetër, qoftë në uljen e inflacionit, rritjen e punësimit, rritjen e prodhimit vendor dhe rritjen e eksportit, sepse ne kemi pas një rritje shumë të madhe të importit, ndërsa eksporti nuk ka pas rritje krahasim me atë të importit.
Këto po ndikojnë negativisht në moszhvillimin e vendit dhe qeveria do duhej të përkrah më shumë prodhimin vendor, qytetarët, të mbrojë familjet me të ardhura të ulta, sepse, ne duhet të kemi shportë familjare dhe t’i mbrojmë familjet që kanë të ardhura të ulta. Po ashtu të kemi sigurim shëndetësor, sigurim në punë, sepse biznesi është duke u përballur me shumë sfida. Është duke u përballur me mungesë të punëtorëve të kualifikuar për nevoja, por edhe punëtorëve si rezultat i pamundësisë se një qytetari ta përballojë këtë situatë që jemi. Do duhej ndryshim rrënjësor i ligjeve që janë premtuar, siç është ligji për tregti të brendshme, ligji për investime strategjike, ligji për përkrahjen e prodhimit vendor”, thotë Krasniqi.
Në anën tjetër, deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja thotë se në kuptim të projekteve të BE-së, mund të jenë afektuar rreth shtatë milion euro, derisa shton se këto masa të padrejta duhet të hiqen.
“Qeveria i ka marrë të gjithë hapat e nevojshëm konform dakordimeve për de-eskalim. Pres që të ishte e udhës që këto masa që ishin të padrejta të hiqen në afatin më të shkurtër. Këto masa të padrejta gjithmonë kanë një implikim. Ne kemi pas javën e kaluar një sqarim nga zyra në kuptim të projekteve të BE-së, mund të jenë afektuar rreth shtatë milion euro të projekteve të drejtpërdrejta. Mirëpo sa i përket investimeve të huaja direkte, ajo çfarë dimë është vetëm tek raportet e Bankës Qendrore, të fundit e kemi raportin tremujor të cilin pak a shumë thotë që këto investime janë pak në nivelin e njëjtë me tremujorin e parë të dy viteve paraprake. Natyrisht që këto krijojnë efekte anësore, por Kosova nuk ka pas shteg tjetër përpos kësaj rruge për shtrirjen e sovranitetit të brendshëm”, thotë Muja.
Mësohet se në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.