Samiti i Triestes për Ballkanin, në fokus forcimi i bashkëpunimit rajonal

14:57 | 10 Korrik 2017

“Forcimi i bashkëpunimit rajonal për një rrugë më të shpejtë drejt BE-së” është motoja e samitit të Ballkanit Perëndimor që zhvillohet më 12 korrik në Trieste.

Projektet e përbashkëta do të jenë në fokusin e takimit të katërt të “Procesit të Berlinit”, të nisur në vitin 2014. Të pranishëm, krahas përfaqësueve të vendeve të rajonit, do të jenë edhe e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini; Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn; si dhe Komisionerja europiane e Transportit, Violeta Bulc.

“Strategjia jonë ka si synim përfundimtar anëtarësimin e të gjashtë vendeve në BE”, citohet të ketë thënë Hahn në Bruksel, nga ku mbërrijnë informacionet se axhenda e takimit do të vazhdojë të përgatitet deri në momentin e fundit.

“Ajo do t’iu pararaqitet udhëheqësve të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, – thotë “Deutsche Welle”, – por edhe vendeve partnere: Austrisë, Kroacisë, Francës, Gjermanisë, Sllovenisë dhe Italisë”.

Tri janë çështjet kyçe në diskutim: vazhdimi i bashkëpunimit rajonal në fushën e transportit dhe infrastrukturës energjetike; zhvillimi i ndërveprimit ekonomik rajonal; si dhe forcimi i kontakteve mes të rinjve e shoqërisë cilive.

Burime pranë Komisionit Europian sqarojnë se, në Trieste, Brukseli do të shkojë me oferta të reja për mbështetje financiale te ërojekteve infrastrukturore në rajon. Pritet edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje për krijimin e një Unioni të Transportit, i cili ka për qëllim integrimin e mëtejshëm të rrjeteve transportuese në mbarë Ballkanin, por edhe ndërlidhjen e infrastrukturës. /TCH