Sa për qind e popullsisë së botës nuk ka qasje në internet?
2.9 miliardë persona në botë nuk kanë pasur asnjëherë qasje në internet gjatë jetës së tyre...
Fun
Sipas “The International Telecommunication Union” (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit), institucion i specializuar i Kombeve të Bashkuara, 4.9 miliardë persona kishin lidhje me internet në vitin 2021, në rritje krahasuar me rreth 4.1 miliardë në 2019-n.
Kjo është një rritje e ndjeshme, por një numër i madh njerëzish mbeten ende “offline”: 2.9 miliardë, ose 37% e popullsisë botërore.
“Edhe pse thuajse dy të tretat e njerëzve në nivel global është ‘online’, mbetet ende shumë për t’u bërë për t’i lidhur të gjithë me internet” – tha Houlin Zhao, sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.
“Organizata jonë do të punojë me të gjitha palët e interesuara, për t’u siguruar që të lidhim 2.9 miliardë njerëzit që nuk kanë lidhje me internet”.
Përtej bumit të aksesit në internet, të cilin Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit e lidh me nevojën për të përshtatur punën dhe arsimin me modalitetet në distancë, si pasojë e pandemisë, 4.9 miliardë njerëz nuk e përdorin internetin në të njëjtën mënyrë.
Rreth 96% e atyre që nuk kanë asnjë mundësi për të qenë “online” jetojnë në vendet në zhvillim dhe përballen me probleme të mëdha si varfëria, aksesi i kufizuar në energji elektrike, ose analfabetizmi. Por janë edhe kostot e paketave të internetit, të nevojshme për të lundruar në të.
Për entin e OKB-së, vetëm 4 nga 43 vendet ku numri i njerëzve të lidhur me internet është i vogël, ofrojnë abonime brenda mundësive të përdoruesve. Këtu, tarifa mesatare e një abonimi në internet është e barabartë me rreth 2% të të ardhurave mesatare bruto, të cilat mund të arrijnë në 20% për shumicën e shteteve të kontinentit afrikan. /Lajmi.net/