Rikthehet “Familja Moderne”, RTK sjell ritransmetimin e serialit çdo të diel në cilësinë HD

Një nga serialet më të dashura dhe më të ndjekura të publikut shqiptar, “Familja Moderne”, do të rikthehet në ekranet televizive, duke u dhënë mundësinë shikuesve të rijetojnë momentet humoristike që shoqëruan një gjeneratë të tërë. Lajmi është bërë i ditur nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka…

ShowBiz

24/11/2026 23:22

Një nga serialet më të dashura dhe më të ndjekura të publikut shqiptar, “Familja Moderne”, do të rikthehet në ekranet televizive, duke u dhënë mundësinë shikuesve të rijetojnë momentet humoristike që shoqëruan një gjeneratë të tërë.

Lajmi është bërë i ditur nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar ritransmetimin e serialit, kësaj radhe me cilësi të përmirësuar të figurës, në formatin HD.

“Ju mungonte? Edhe neve. Familja Moderne kthehet në RTK, tani në HD. Të njëjtat qeshje, më shumë pikselë”, thuhet në njoftimin e televizionit publik.

Për vite me radhë, “Familja Moderne” ishte një prej prodhimeve më të dashura televizive në Kosovë, duke mbledhur familjet shqiptare para ekranit me personazhet karakteristike, batutat dhe situatat e shumta komike.

Edhe sot, shumë prej skenave dhe momenteve të serialit mbeten të paharruara për publikun, duke e bërë atë një prej produksioneve që ka lënë gjurmë në historinë e televizionit shqiptar.

Rikthimi i tij në ekran pritet të ngjallë nostalgji te shikuesit që janë rritur me këtë serial, por njëkohësisht do t’u japë mundësi edhe brezave të rinj të njihen me të.

Sipas njoftimit të RTK-së, “Familja Moderne” do të transmetohet çdo të diel, duke filluar nga ora 20:05.