Rusia dërgon sërish pajisje ushtarake në Ukrainë

SHBA-të kanë thënë se Rusia gjatë ditëve të fundit ka transferuar armatim për separatistët në pjesën lindore të Ukrainës, megjithë marrëveshjen për armëpushim të arritur më 12 shkurt në Minsk.

Bota

10/03/2015 18:32

“Mund të konfirmojmë se kanë ndodhur transferimet e reja të tankeve ruse, veturave të blinduara, artilerisë së rëndë dhe pajisjeve të raketave në pjesën ukrainase të kufirit”, ka thënë ndihmës/sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan.

Moska rregullisht i ka hedhur poshtë pretendimet e tilla.

Nuland ka thënë se SHBA-të kanë nisur bisedat me aleatët evropianë për t’i thelluar sanksionet kundër Rusisë nëse dështon implementimi i marrëveshjes së armëpushimit.