‘Rrufeja’ anti-drogë në Serbi, arrestohen 124 veta
Policia e Serbisë në një aksion të ndërmarrë sot ka konfiskuar më se 21 kilogram substanca narkotike dhe ka arrestuar 124 persona

Lajme
Në aksionin policor të koduar “Rrufeja”, kundër një rrjeti të gjerë të dyshuar për trafikim me drogë, në mbarë territorin e Serbisë u konfiskuan më se 21 kilogram substanca narkotike dhe u prangosën 124 persona, njoftoi të mërkurën prokurorja Zagorka Dollovac në Beograd, raporton RFE.
Ajo u tha gazetarëve se 70 të dyshuar, vazhdojnë të qëndrojnë të ndalim policor prej 48 orësh.
Në një konfernecë për media në ndërtesën e qeverisë, Dollovac bëri të ditur se në këtë operacion janë kapur shtatë kilogram heroin, dhe pesë kokain.
“Është zbuluar një laborator për prodhimin e drogës, janë gjetur 27 armë të shkurta, 16 armë të gjata, një mitraloz, katër bomde dhe 525 gram eksploziv plastik”, tha Dollovac.
Sipas prokurores, organi i ndjekjes ka ngritur padi kundër 180 individëve, dhe pritet që edhe 100 të tjerë të ndiqen penalisht, nën dyshimin për trafikim me narkotik.