“Rrjeti Krasniqi” – Britania sanksionon rrjetin kosovar që e akuzon për falsifikim dokumentesh për banda kriminale

Britania ka sanksionuar ato që i ka quajtur banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një në Kosovë, të cilat dyshohet se kishin falsifikuar dokumente, që ishin përdorur më pas për trafikimin e njerëzve. Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli…

Lajme

22/10/2025 15:46

Britania ka sanksionuar ato që i ka quajtur banda kriminale nga Ballkani Perëndimor, përfshirë një në Kosovë, të cilat dyshohet se kishin falsifikuar dokumente, që ishin përdorur më pas për trafikimin e njerëzve.

Sipas njoftimit të Qeverisë britanike, me ndihmën e autoriteteve kosovare është sanksionuar “Rrjeti Krasniqi”, që përshkruhet si një bandë kriminale me seli në Kosovë, që kishte udhëhequr një laborator të sofistikuar për prodhimin e dokumenteve false.

Mbretëria e Bashkuar tha se kjo bandë e organizuar kriminale është përgjegjëse për prodhimin e dokumenteve false dhe furnizimit me to për bandat kriminale.

“Grupi ka krijuar pasaporta false, letërnjoftime dhe patentë-shoferë të më shumë se 50 shteteve, përfshirë të Mbretërisë së Bashkuar”, u tha në njoftim.

Sipas Mbretërisë së Bashkuar, personat e sanksionuar janë: “Burim Krasniqi, që përshkruhet si udhëheqës i rrjetit Krasniqi; Arif Krasniqi, që thuhet se ishte ndërmjetës i grupit që siguronte klientë për shërbimet e tyre; Flamur Krasniqi, anëtar i grupit të cilit iu gjetën në posedim dokumente të falsifikuara; Valon Krasniqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; Sami Duriqi, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve false; Granit Avdyli, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve dhe reklamimit të shërbimeve të grupit; Nexhmie Selmani, e cila ka ofruar objektin që ka përdorur grupi për të falsifikuar dokumente dhe po ashtu është përfshirë në ofrimin e pajisjeve për falsifikim; Endrit Emerllahu, i përfshirë në prodhimin e dokumenteve të falsifikuara; si dhe Shembim Emerllahu, anëtar i grupit të cilit iu gjetën dokumente të falsifikuara”.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka sanksionuar Nusret Seferoviq, që e cilësoi si udhëheqës të një bande kroate, që kishte furnizuar bandat në Ballkan me pasaporta të falsifikuara kroate.

Seferoviq identifikoi qytetarët kroatë që nuk kishin marrë dokumentet e tyre dhe më pas përdori identitetet e tyre për të siguruar pasaporta të falsifikuara.

“Këto më pas u shitën grupeve të krimit të organizuar, përfshirë bandat Škaljari dhe Kavač, të dyja të sanksionuara sipas Regjimit Global të Sanksioneve për Migracionin e Parregullt të Mbretërisë së Bashkuar”, transmeton lajmi.net.

Dy persona të tjerë dhe një kompani tregtare u sanksionuan për pjesëmarrjen e tyre në një rrjet që transferonte para dhe blinte pjesë të anijeve të vogla, të përdorura nga bandat për të lehtësuar migrimin e paligjshëm, u tha në njoftimin e Qeverisë britanike.

Britania tha se këto sanksione janë hapi i fundit në luftimin e rrjeteve kriminale që kanë rritur migrimin ilegal në këtë shtet. Këto veprime, tha Qeveria britanike, kanë ndihmuar që të ulet numri i migrantëve nga Ballkani Perëndimor nga 140.000 më 2022 në 21.000 vitin e kaluar.

Financuesit ndërkombëtarë të kontrabandës së njerëzve:

Rrjeti ALPA

Një rrjet i përfshirë në financim të paligjshëm për bandat e kontrabandës së njerëzve- të sanksionuara sot janë:

ALPA Trading FZCO, një kompani brenda rrjetit ALPA, dikur përpunonte para dhe siguronte pjesë për varka të vogla për bandat e kontrabandës së njerëzve.

Ali Derakhshan mbikëqyr operacionet e përditshme të rrjetit të kompanive ALPA, duke përfshirë transferimin e parave dhe prokurimin e komponentëve për anije të vogla.

Vahid Derakhshan, i përfshirë në aktivitetet financiare të rrjetit ALPA.

Njoftimi erdhi në kohën kur kryeministri, Keir Starmer është duke pritur Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër- duke bashkuar udhëheqës të Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqës të tjerë evropianë, për të diskutuar bashkëpunimin rajonale, migracionin e paligjshëm, sigurinë evropiane dhe zhvillimin ekonomik.

Madje, Keir Starmer tha se “Ekziston një rrugë kriminale përmes Ballkanit Perëndimor që sjell emigrantë të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi të vendosur ta mbyllim atë duke bashkëpunuar me partnerët evropianë. Përpjekjet tona të përbashkëta kanë përgjysmuar tashmë kalimet e parregullta kufitare dhe kanë ulur mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria me 95%. Përmes një Task Force të re të Përbashkët për Migracionin, dronëve britanikë dhe sanksioneve më të ashpra, ne po i ndjekim bandat e kontrabandës në çdo fazë për t’i nxjerrë ato nga biznesi dhe për të ofruar siguri për njerëzit që punojnë”.

Kurse Sekretarja e Jashtme, Yvette Cooper, tha “Ballkani Perëndimor është një rrugë kryesore transiti për bandat e pamëshirshme të kontrabandës së njerëzve që tregtojnë vuajtje njerëzore”.

Sanksionet e sotme janë hapi më i fundit në një goditje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe partnerëve të saj kundër rrjeteve kriminale që nxisin migrimin e paligjshëm./Lajmi.net/