Rritje e lehtë e numrit të rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë javët e fundit, situata vlerësohet stabile

Në Kosovë javën e fundit po vazhdon të ketë një rritje të lehtë të rasteve aktive.

Lajme

26/01/2021 23:02

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 288 raste të reja me koronavirus, por vërehet një numër i lartë i testeve prej 1842, shkruan lajmi.net.

Përveç rasteve të reja, gjatë së njëjtës periudhë kohore janë shëruar edhe 256 pacientë dhe janë regjistruar 5 raste të vdekjes.

Rastet e vdekjes janë nga komunat: Gjilan 1 rast (90 vjeç), Malishevë 1 rast (78 vjeç), Pejë 1 rast (88 vjeç), Prishtinë 1 rast (71 vjeç) dhe Prizren 1 rast (82 vjeç).

Numri total i rasteve pozitive është 58.687 raste nga 223.505 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.471 raste të vdekjes.

Kështu, numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë është 5879.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik situatën po e vlerësojnë si të qetë dhe para rreth një jave orari i çarkullimit është shtyrë për 1 orë e gjysmë ndërsa puna e gastronomisë për 1 orë.

Situata nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale është dukshëm më e relaksuar javët e fundit. Por, problem për Kosovën mbetet ende sigurimi i vaksinës. /Lajmi.net/