Rritet numri i të vdekurve në burgjet e Kosovës

22:23 | 15 Qershor 2019

Numri i të burgosurve që po vdesin gjatë vuajtjes së dënimit këtë vit është më i lartë se vitin e kaluar.

Në moshën 27-vjeçare vdiq i burgosuri I.A i cili vuante dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

Për këta muaj të  2019-ës kanë vdekur pesë të burgosur. Këto të dhëna i ka bërë të ditur Shërbimi Korrektues i Kosovës për Indeksonline.

“Gjatë  vitit të kaluar kanë vdekur tre të burgosur, ndërsa gjatë këtij viti, deri më sot kanë vdekur pesë të burgosur. Mosha e tyre  sillej prej 27 deri në 69 vjeç”, në përgjigjen e tyre.

E arsyet e vdekjeve të tyre janë të ndryshme, shumica si pasojë e sëmundjeve.

“Vdekjet kanë ardhur si pasojë e sëmundjeve të tyre. Kryesisht po vuanin nga sëmundje të rënda, si kanceri, sëmundje të zemrës, sëmundje infektive, etj”, thuhet mes të tjerash në përgjigje.

Shërbimi shëndetësor që funksionon në burgje të cilat janë nën autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë, për shkak të specifikave organizohet dhe mbikëqyret nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB) në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në një raport të Drejtorit të këtij Departamenti, Milazim Gjocaj, dërguar Ministrit të Shëndetësisë Uran Ismaili, ka bërë të ditur në detaje aktivitetet shëndetësore të kryera ndaj të burgosurve nëpër të gjitha qendrat korrektuese.

Në këtë raport, për tre muaj janë bërë në total 14 mijë e 552 konsultime shëndetësore ndaj të burgosurve.

Në këtë raport thuhet se vete lëndime kanë pasur në total 47 persona, lëndime trupore 92 të burgosur,  raste në grevë urie 27, tentim vetëvrasje 27, izolim (Vetmi) 197 raste, ndërsa abuzime seksuale nuk ka pasur.

Për gjatë tre mujorit të parë të 2019-ës, dërgime jashtë burgjeve kanë qenë 379 raste.

Po ashtu, janë specifikuar edhe numri i duhangjinjëve,  abuzuesve të alkoolit, drogave e të tjera.

Siç shihet në këtë tabelë, numri i të vizituarve për herë të parë ka qenë 982 të burgosur.

Numri i duhangjinjeve, 638, i përdoruesve të alkoolit 105, i përdoruesve të drogave 167, raste me diabet 20 të burgosur, raste me hipertension arterial 37 e kështu me radhë.