Rreziku për zinxhirin komandues

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme thonë se pjesëtarët e strukturave paralele që priten të integrohen brenda strukturës së sigurisë së Kosovës paraqesin një sfidë të madhe për institucionet e vendit.

Lajme

06/12/2013 12:22

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri kanë dhënë opinionet e tyre lidhur me integrimin e strukturave paralele, në Policinë e Kosovës.

Ata presin që çështja për të cilën është raportuar se Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic kanë arritur dje progres në bisedimet e Brukselit, të shkaktojë telashe, sidomos nëse nuk respektohet zinxhiri komandues i Policisë.

Kryetari i këtij Komisioni, Ahmet Isufi thotë se pjesëtarët e strukturave paralele duhet të jenë lojalë ndaj institucioneve sepse edhe të zgjedhurit e tyre në zgjedhjet lokale, janë zgjedhur në bazë të zgjedhjeve të organizuara nga institucionet e vendit.

“Ata duhet të integrohen në institucionet e Kosovës që të kemi një funksionim normal të institucioneve të vendit”.

“Ata duhet të jenë lojalë sepse kryetarët e zgjedhur në komunat gjithkund në Kosovë janë zgjedhur në bazë të votimeve të cilat janë monitoruar dhe janë mbikëqyrur nga institucionet e vendit dhe ndërkombëtare”, ka thënë Isufi.

Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se integrimi i tyre do të jetë një sfidë e madhe për institucionet e vendit.

Quni thotë se nëse rrezikohet zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës, kjo gjë  do të jetë një humbje e madhe.

“Nëse në çfarëdo forme rrezikohet zinxhiri komandues posaçërisht i Policisë së Kosovës atëherë mund të them me përgjegjësi të lartë se ne kemi pësuar një humbje shumë të madhe. Kjo nuk mund të ndodh dhe nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Quni.

“Do të jetë një sfidë e madhe për institucionet e Kosovës, posaçërisht për ato që merren me verifikimin apo certifikimin e sigurisë për çdo pjesëtarë veç e veç”.

“Institucionet tona që merren me këtë temë të përdorin të njëjtat parime dhe kritere që vlejnë edhe për çdo pjesëtar që kandidon në kuadër të strukturave të sigurisë të nacionalitetit shqiptar”.

“Këtu nuk duhet të ketë përjashtime. Ata që kanë dosje kriminale ata janë të papranueshëm dhe është paradoks që një ish-kriminel nesër të jetë i veshur me petkun apo në uniformë me të cilën ai do të mundohet të zbatojë ligjin”.

Ndërkaq i pyetur se sa mund të jenë besnikë pjesëtarët e strukturave paralele të cilët do të inkuadrohen në Polici të Kosovës, Quni thotë se kjo gjë paraqet një “rrezik permanent”.

“Kjo është një rrezik permanent me të cilën ne duhet të mësohemi të menaxhojmë. Natyrisht se duhet kohë që të krijohet besueshmëri.”

“Por, sidoqoftë ne duhet të japim shansin që të gjithë ata që i pranojnë Kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe që e ndjejnë veten qytetarë të Kosovës dhe që nga nesër e tutje të japin kontributin e vet për rend, siguri dhe ligj”.

Ndërkaq, Rexhep Selimi nga Vetëvendosje thotë se “asgjë e mirë nuk mund të dalë nga bisedime të këqija”.

Ai tha se këto bisedime janë jotransparente dhe se sipas marrëveshjeve të mëparshme, policët serbë që do të inkuadrohen në strukturat e sigurisë së Kosovës nuk kanë nevojë të betohen, andaj sipas Rexhepit, “nuk mund të kërkojmë lojalitet” nga ata.

“Ajo se çka është evidente është se ende po vazhdon që marrëveshje të tilla të jenë totalisht jotransparente. As Komisioni e as institucionet relevante të tjera nuk dinë se për çka është arritur marrëveshja”.

“Në bazë të njërës nga marrëveshjet, ua mundëson atyre të cilët integrohen në veriun e Kosovës që të mos kenë nevojë të bëjnë betimin gjë që i lirojmë ata nga lojaliteti ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Përderisa ne i kemi lejuar ose liruar nga lojaliteti i Republikës së Kosovës atëherë nuk ka se si t’u kërkojmë këtë lojalitet. Në ndërkohë ata janë shumë lojalë ndaj institucioneve të Republikës së Serbisë”.

“Nuk do të mund ne të kërkonim diçka të mirë nga bisedime kaq të këqija për interesin e Kosovës”, tha Selimi.