“Rreziku është te lëvdatat e armikut, jo te vërejtjet e mikut” – Çollaku dhe Rezarta Krasniqi shtyhen për mocionin ndaj Abdixhikut

Ish-kandidati nga lista e Vjosa Osmanit dhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Kreshnik Çollaku, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke vlerësuar se mocioni për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku rrezikonte jo vetëm udhëheqjen, por edhe vetë stabilitetin e LDK-së. Çollaku shkroi se, ndonëse çdo mocion për shkarkimin e një kryetari është…

Lajme

01/08/2026 12:47

Ish-kandidati nga lista e Vjosa Osmanit dhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Kreshnik Çollaku, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë, duke vlerësuar se mocioni për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku rrezikonte jo vetëm udhëheqjen, por edhe vetë stabilitetin e LDK-së.

Çollaku shkroi se, ndonëse çdo mocion për shkarkimin e një kryetari është legjitim në një demokraci të brendshme, problemi në rastin e LDK-së ishte momenti kur ai u iniciua, raporton lajmi.net

Sipas tij, nisma erdhi në një periudhë kur Kosova po përballej me negociata të ndërlikuara për krijimin e institucioneve, duke e futur partinë në një krizë të brendshme që, sipas tij, mund ta linte të papërgatitur në rast të zgjedhjeve të reja.

“Në vend që energjia të përqendrohej tek pozicionimi në negociatat për qeverisjen ose përgatitja për çdo skenar politik, ajo u konsumua në një konflikt të brendshëm që paralizoi partinë për javë të tëra”, shkroi Çollaku.

Ai tha se në LDK është krijuar një model ku, sa herë rezultati zgjedhor nuk i kënaq grupe të caktuara, hapet beteja për rrëzimin e kryetarit, duke e bërë mandatin e fituar të pasigurt dhe duke dëmtuar funksionimin e partisë.

Çollaku bëri thirrje që LDK të reflektojë mbi mekanizmat e saj të funksionimit, duke theksuar se demokracia e brendshme nuk duhet të shndërrohet në një cikël të pafund krizash.

Postimi i Çollakut u shoqërua edhe me një debat përmes komenteve me deputeten e LDK-së, Rezarta Krasniqi.

Krasniqi i shkroi se ai po e “ndreqte” Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe tani po tentonte të bënte të njëjtën gjë edhe me LDK-në.

Në përgjigje, Çollaku tha se njerëzit duhet të mësojnë nga gabimet e njëri-tjetrit dhe shtoi se të dy janë pjesë e së njëjtës parti.

“Me mësu nga gabimet e njeriut, keq nuk bën tjetrit. Pastaj unë kam kohë që them ne jemi një, edhe pse ti ndonjëherë s’e beson”, iu përgjigj ai.

Krasniqi më pas shkroi se dëshiron që të jenë një, “por jo një në shkatërrim”, duke shtuar se LDK-së i duhen vlerat, besimi dhe idealet, e jo lavdërimet për partitë rivale.

Çollaku iu kundërpërgjigj duke thënë se “rreziku është te lëvdatat e armikut, e jo te vërejtjet e mikut”, ndërsa në fund shtoi se “ndaj vërejtjet e miqve nuk bëjnë dëm”./Lajmi.net/