Vdekjet në vendin e punës alarmojnë – ndërtimtaria mbetet sektori më i rrezikshëm në Kosovë

Rreth 20 persona humbën jetën në vendin e punës gjatë vitit 2025, ndërsa mbi dhjetë raste me fatalitet janë regjistruar deri më tani këtë vit, sipas të dhënave të Inspektoratit Qendror të Punës. Rasti i fundit ndodhi të martën e 28 korrikut, kur një i ri vdiq nga rrëzimi i vinçit në një vendpunishte të…

Lajme

01/08/2026 13:46

Rreth 20 persona humbën jetën në vendin e punës gjatë vitit 2025, ndërsa mbi dhjetë raste me fatalitet janë regjistruar deri më tani këtë vit, sipas të dhënave të Inspektoratit Qendror të Punës.

Rasti i fundit ndodhi të martën e 28 korrikut, kur një i ri vdiq nga rrëzimi i vinçit në një vendpunishte të ndërtimtarisë në Prishtinë.

Eksperti i sigurisë dhe shëndetit në punë, Agim Millaku, thotë se shkaku kryesor i vdekjeve të shpeshta në vendin e punës mbetet mungesa e masave parandaluese, si nga punëdhënësit, ashtu edhe nga vetë punëtorët.

“Punëdhënësi duhet të ketë një plan të ekzekutimit të punimeve, ku për çdo fazë përcaktohen mënyra e veprimit, kushtet e punës dhe udhëzimet për punëtorët”, thotë ai në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.

Millaku, i cili ka udhëhequr më parë me Inspektoratin Qendror të Punës, thotë se ky institucion duhet të përfshihet që në fillim të punimeve.

“Para se të fillojnë punimet, punëdhënësit duhet ta njoftojnë Inspektoratin e Punës, ndërsa inspektorët duhet të hartojnë planin e tyre të veprimit për atë vendpunishte”, thotë ai, teksa shton se vitin e kaluar dhe këtë vit është tejkaluar mesatarja e aksidenteve në vendin e punës, veçanërisht në ndërtimtari.

Sipas Millakut, gjatë inspektimeve fokusi nuk duhet të jetë vetëm dokumentacioni, por edhe gjendja reale në terren.

“Problematika kryesore është që punëtorët nuk janë të informuar fare për rreziqet, ose i neglizhojnë ato duke menduar se ‘mua nuk më ndodh’”, thekson ai.

Duke komentuar vendimin e Ministrisë së Punës që inspektimet të mbështeten edhe me sistem digjital dhe me dronë nga 1 shtatori 2026, Millaku vlerëson se kjo është mundësi për të përmirësuar mbikëqyrjen, sidomos në vendpunishtet e hapura.

Ai konsideron se përdorimi i dronëve është shumë efikas për punimet në ambiente të hapura, sepse e zvogëlon subjektivitetin e inspektorit dhe përshpejton reagimin e Inspektoratit.

Madje, sipas tij, numri i madh të aksidenteve është edhe si pasojë e mungesës së inspektorëve.

“Numri i madh i vendpunishteve, në raport me numrin e pamjaftueshëm të inspektorëve, nuk u lë kohë atyre të merren sa duhet me preventivë”, thotë Millaku në 5 pyetje.

Për të parandaluar aksidentet me fatalitet, ai thotë se duhet të ekzistojë një bashkëpunim i ngushtë midis institucioneve, punëdhënësit dhe punëtorëve.

Sipas Millakut, vetëm përmes dialogut social dhe zbatimit të rregullave të sigurisë mund të parandalohet humbja e jetëve në vendin e punës.