Rreth 400 biznese të lojërave të fatit janë aktive

Biznesmenët që merren me lojëra të fatit në Kosovë nuk po dëshirojnë që t’i mbyllin bizneset e tyre, ani pse shteti është vënë në “gjah” të tyre.

Lajme

13/09/2019 18:14

Tashmë asnjë biznes i lojërave të fatit nuk ka licencë. Ato që operojnë janë ilegale. Policia e Kosovës, thuajse çdo ditë njofton për shoqërimin e personave të ndryshëm në polici që po zihen duke e ushtruar këtë veprimtari.

Ligji për ndalimin e lojërave të fatit në Kosovë, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet, ka hyrë në fuqi në muajin maj të këtij viti.

Ky ligj ishte propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës më 28 mars të këtij viti.

Megjithëkëtë, në Kosovë janë ofro 400 biznese të lojërave të fatit që figurojnë si aktive. Janë shuar vetëm dy në këtë vit.

Këtë e kanë konfirmuar për lajmi.net zyrtarë të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

“Në Agjencinë e Regjistrimit te Bizneseve (ARBK) ne MTI  janë këto te dhëna të biznese të lojërave të fatit: Gjithsejtë aktive figurojnë 382. Numri bizneseve që janë shuar në vitin 2019 janë 2”, thuhet në përgjigjen e ARBK-së.

Në Administratën Tatimore e Kosovës numri i bizneseve të licencuara në veprimtarinë e lojërave të fatit ka qenë i ndarë në tri kategori. Në veprimtari baste, automate, veprimtari bingo që i kanë sjell të hyra të mëdha buxhetit.

“Ju informoj se ATK më nuk ka në kompetencë lojërat e fatit”, tha për lajmi.net, Valentina Bytyqi – Sefa, udhëheqëse e Divizionit për komunikim me publikun. Ajo nuk ka dashur të përgjigjet se si do t’i inkasojë ATK-ja borxhet e këtyre bizneseve.

Gjatë viti 2018 ka pasur gjoba të lëshuar për bizneset që kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin e Lojërave të Fatit, si dhe personat fizik të cilët kanë ushtruar veprimtari pa licence dhe vlera e gjobave është mbi 1.7 milion euro.

Nga ana tjetër, lajmi.net mëson së Shoqata e Kompanive të lojërave të fatit e ka dërguar këtë Ligj në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo është konfirmuar për lajmi.net edhe nga kushtetuesja.

Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, nga Gjykata Kushtetuese thonë se kanë pranuar një kërkesë nga një ndërmarrje private që konteston ligjin për lojërat e fatit, më 28 gusht të këtij viti.

Ndërsa ende nuk dihet se kur do të merret vendimi për këtë Ligj.

“Gjykata ka pranuar një kërkesë nga një ndërmarrje private që konteston Ligjin për lojërat e fatit, më 28 gusht 2019. Gjykata nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast. Vendimi do të merret në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për lajmi.net.

Shoqata e Kompanive të Lojërave të Fatit, po ashtu kishte kërkuar nga presidenti që mos dekretojë këtë ligj, me arsyetimin se rreth 4 mijë persona do të mbesin pa punë pas mbylljes së lojërave të fatit. /Lajmi.net/