Rreth 100 prokurorë të angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e 28 dhjetorit
Për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen të dielën më 28 dhjetor, Prokurori i Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Sipas njoftimit të Kryeprokurorit të Shtetit, këta prokurorë do të qëndrojnë kujdestarë në të gjithë territorin e Kosovës…
Lajme
Për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen të dielën më 28 dhjetor, Prokurori i Shtetit ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit të Kryeprokurorit të Shtetit, këta prokurorë do të qëndrojnë kujdestarë në të gjithë territorin e Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë gjatë votimit, transmeton lajmi.net.
Prokurori i Shtetit u bën thirrje qytetarëve, subjekteve politike, institucioneve dhe organizatave që të denoncojnë çdo rast të dyshuar për keqpërdorim ose manipulim të votës tek prokuroritë përkatëse, duke siguruar që çdo shkelje të trajtohet sipas ligjit.
Njoftimi i plotë:
Prokurori i Shtetit mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor
Prishtinë, 26 dhjetor 2025 – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje.
Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë./lajmi.net/