Rreth 1 mijë e 700 punëtorë të Telekomit mbeten pa paga, bllokimi i llogarive iu shkakton probleme në operim ditor e në kredi

Derisa punëtorët e tjerë të sektorit publik në Kosovë i kanë marrë pagat e tyre të muajit tetor tash e katër ditë, punëtorët e Telekomit të Kosovës nuk i kanë pranuar ende ato. Kjo vonesë e pagave për punëtoret e Telekomit të Kosovës ka ardhur si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të kompanisë tash…

Lajme

04/11/2024 17:18

Derisa punëtorët e tjerë të sektorit publik në Kosovë i kanë marrë pagat e tyre të muajit tetor tash e katër ditë, punëtorët e Telekomit të Kosovës nuk i kanë pranuar ende ato.

Kjo vonesë e pagave për punëtoret e Telekomit të Kosovës ka ardhur si pasojë e bllokimit të llogarive bankare të kompanisë tash e një muaj.

Ndonëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e qeveritarë të tjerë po thurin lavde duke e ngritur lartë këtë kompani dhe duke thënë se po “rimëkëmbët”, aty në fakt ka probleme esenciale, shkruan lajmi.net.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Postes dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Lamih Balaj ka thënë për lajmi.net se janë afro 1 mijë e 700 punëtorë të cilët nuk i kanë marrë ende pagat e tyre.

Sipas Balajt, përveç problemit me paga për punëtorët bllokimi i llogarive bankare i ka shkaktuar Telekomit probleme edhe në operime ditore siç janë pagesa e energjisë elektrike e karburantit.

Në lidhje me datën se kur do të bëhet një zgjidhje, Balaj ka thënë se nuk ka por po mundohen ta bëjnë një zgjidhje alternative vetëm për paga të punëtorëve.

“Nuk ka ndonjë datë të caktuar se kur do të bëhet një zgjidhje por besoj se së shpejti do të bëhet një zgjidhje alternative që së paku punëtorët mos me mbet pa paga. E di që janë dukë bërë zgjidhje alternative, sepse po mundohen edhe menaxhmenti ta bëjnë atë dhe nëse kjo zgjidhje nuk do të bëhet sigurisht që do të ketë aktivitete sindikale që i parasheh ligji, dhe ato varet prej Kuvendit çka qysh e tek ata vendosin e ne veç i prijmë procesit”, ka thënë Balaj derisa ka paralajmëruar greva nga punëtorët e Telekomit.

Në lidhje me këtë problem Sindikata e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës përmes një komunikate për media kanë thënë se bllokimi i llogarive bankare të Telekomit të Kosovës nga përmbaruesit me urdhër të ish-pronarëve të Z Mobile, është akt i paprecedent dhe ka krijuar një situatë alarmante për të ardhmen e kompanisë dhe të punëtorëve të saj.

Kjo Sindikatë ka kërkuar nga Prokuroria që të nis hetimet në këtë çështje dhe që institucionet t’u garantojnë punëtorëve marrjen e pagave, shkruan lajmi.net.

“Kërkojmë dhe apelojmë urgjentisht:

1.Veprim nga Prokuroria – që të nisë hetimet për këtë çështje dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kontribuar në krijimin dhe vazhdimin e lidhjeve korruptive të kësaj kompanie kriminale që ka dëmtuar Telekomin e Kosovës.

2.Marrje masash nga institucionet relevante, për të garantuar që punëtorët të marrin pagat e tyre dhe që Telekomi të çlirohet nga çdo ndërhyrje e padrejtë që po e shkatërron funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij.

3.Shkëputje të plotë nga çdo kontratë e dyshimtë dhe kriminale – për të rikthyer integritetin dhe transparencën e Telekomit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për punëtorët dhe për kompaninë.

Si përfaqësues të punëtorëve, ne jemi të vendosur në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe në kërkimin e drejtësisë për një kompani që ka mbetur peng i lidhjeve kriminale dhe korruptive.

Në emër të të gjithë punëtorëve të Telekomit të Kosovës, kërkojmë që ky abuzim i hapur të marrë fund dhe që drejtësia të vihet në vend”, thuhet në komunikatë.

Pavarësisht se kompania po përballet me vështirësi të tilla dhe me problematika serioze në funksionimin e saj, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka thënë se Telekomi i Kosovës tashmë ka marrë rrugën e duhur.

Sipas saj kjo “goditje” është e fundit nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara, shkruan lajmi.net.

“Telekomi i Kosovës tashmë ka marrë rrugën e duhur e nuk do të ketë kthim prapa! Telekomi do të përballojë me sukses edhe këtë goditje, TË FUNDIT, nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit, ndërkohë që u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit, e blenin vota përmes punësimeve partiake në masë, pa konkurse”, ka shkruar Rizvanolli në Facebook. 

Llogaritë Bankare të Telekomit të Kosovës janë bllokuar përsëri nga përmbaruesi privat me datë 3 tetor të këtij viti.

Sipas një njoftimi të Telekomit, bllokimi ndërlidhet me rastin “Dardafon 2”.

“Pas refuzimit të Prapësimit të Urdhrit Përmbarimor që lidhet me arbitrazhin në rastin “Dardafon 2” (Z-Mobile) nga ana e Gjykatës Komerciale, dje, më datë 03.10.2024, Përmbaruesi Privat me të pranuar këtë Aktvendim vetëm brenda një ore, i ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare të Telekomit të Kosovës” – thuhej në njoftim.

Vendimet për këtë rast, Telekomi i ka quajtur të padrejta ndërsa, kjo ndërmarrje publike paralajmëroi ankesë.

“Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate. Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor”, thuhej në njoftim. /Lajmi.net/