Rizvanolli thotë se çmimi ndikon nga importi e modernizimi i TC ‘Kosova B’
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur të martën rreth çështjes së tarifave të reja të energjisë elektrike. Rizvanolli për rritjen e çmimit të energjisë, tha se Zyra e Rregullatorit për Energji si institucion i pavarur ka publikuar raportet konsultative me 14 mars dhe ka propozuar një rritje mesatare të çmimit rreth 15…

Lajme
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur të martën rreth çështjes së tarifave të reja të energjisë elektrike. Rizvanolli për rritjen e çmimit të energjisë, tha se Zyra e Rregullatorit për Energji si institucion i pavarur ka publikuar raportet konsultative me 14 mars dhe ka propozuar një rritje mesatare të çmimit rreth 15 për qind. Ajo tha se duhet të shtohet edhe numri i blloqeve të konsumit, shkruan transmetuesi publik.
“Në këtë rast dua të sqaroj dy gjëra: E para, vendimi nuk është marrë për strukturën tarifore dhe e dyta: kjo rritje e propozuar nuk është ndarë, nuk është marrë ndonjë vendim apo ndonjë propozim se si do të shpërndahet kjo rritje te kategoritë e caktuara të konsumatorëve, do të thotë te bizneset ose amvisnit ose te amvisnit brenda blloqeve të ndryshme të konsumit”, tha ajo në RTK Prime.
Për çështjen se nuk do të jetë një bllok tarifë për të gjithë njëjtë, dhe nuk do të jetë 15% për të gjithë njëjtë, Rizvanolli, tha se ky është vendim i zyrës së rregullatorit për energji të cilin ata kanë thënë që do ta marrin brenda(përafërsisht) dy jave në vijim.
Rizvanolli tha se prej analizave që janë bërë, që i kanë marrë prej të gjithë akterëve të sektorit, kanë parë se e është një fenomen se ku një pjesë e vogël prej amvisërive bëjnë konsum te jashtëzakonshëm.
Sot është paralajmruar se do të ndodh shtrenjtimi i tarifave të rrymës për 15 për qind, megjithatë, në ZRrE kanë thënë se vendimi pritet të merret më 11 prill.
Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ka mohuar se është marrë vendim lidhur me tarifat e energjisë elektrike, duke thënë se në fuqi mbesin tarifat ekzistuese.
Rritja e çmimit të rrymës, ka ngjallur reagime të mëdha dhe pakënaqësi te qytetarët dhe bizneset dhe presidenca, por deri tash Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar dhe as reaguar lidhur për rritjen e paralajmëruar. Për shkak të pakënaqësive, më 5 prill është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë, raporton KosovaPress.
Përndryshe, ndërrimi i orës që ndodhi më 30 mars 2025, ka ndryshuar edhe orarin e tarifës së ulët të rrymës. KESCO ka bërë të ditur se ky orar do të vlejë nga sot e deri me 30 shtator.
Tarifa e ulët gjatë kësaj periudhe, do të jetë nga ora 23:00 deri në ora 08:00. Ky ndryshim vjen si pjesë e aplikimit të tarifës verore, duke u mundësuar konsumatorëve kursime më të mëdha gjatë orëve të caktuara të natës.
“Vendimi pritet të merret më 11 prill. Varësisht se si vendos bordi, ato mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi që s’ka kuptim që kjo të bëhet në gjysmë të muajit”, tha Fejzullahu për KosovaPress, duke shtuar se aktualisht janë duke shqyrtuar komentet e dërguara nga institucionet dhe të tjerët.
“Kemi deklaruar se shqyrtimi do të zgjas deri në dy javë, por mund të zgjas edhe më shumë”, deklaroi ai.