Rishfaqet Mrekullia Stevie Wonder

Gjeniu i muzikës ka njoftuar se vitin e ardhshëm do t’i publikojë dy albume të reja. Befasia e tij multikulturale do të jetë këndimi i muzikës gospel – në gjuhën arabe.

ShowBiz

30/10/2013 21:00

Gjeniu i muzikës, Stevie Wonder, i ka gëzuar adhuruesit e tij me njoftimin se planifikon t’i publikojë këngët e reja, pas tetë vjet pauze.

Në fakt, ai do t’i publikojë dy albume, por ka mundësi që ta ketë edhe albumin e tretë.

Legjendari 63 vjeçar ka nisur t’i incizojë këngët e reja për albumet When the World Began dhe Ten Billion Hearts.

Duke i konfirmuar thashethemet për albumet, që filluan të qarkullojnë në fillim të këtij viti, artisti ka zbuluar se materiali i tij i ri do të ndikohet nga metodat politike të hip hopit.

“Dëgjoj shumë rap. Ai më inspiron që ta marr, ta përdori në një mënyrë tjetër, dhe ta përçoj porosinë e tij më tutje”.

Në një intervistë për revistën Rolling Stone, në muajin qershor, Wonder ka pohuar se muzika e tij do të përcillet me orkestër.

“Albumet e reja janë inspiruar nga fëmijët e mi, familja, ndryshimi, rritja, zemërthyerjet“.

Vitin e kaluar është shkurorëzuar nga bashkëshortja Kai Millard Morris.

Ai planifikon ta përmbush premtimin që ia kishte dhënë nënës së tij, Lula Mae Hardaway, e cila vdiq në 2006, duke incizuar një album me muzikë të zhanrit gospel në kujtim të saj.

“Do të bëj gospel tradicional, por jam duke menduar që të këndoj edhe këngë gospel në gjuhën arabe”.

“Do ta modifikoj gospelin në mënyra të ndryshme, sepse besoj që të gjithë duhet t’i dëgjojnë këto fjalë. Ato janë fjalë të dashurisë për njerëzit që e ndjekin Fjalën – pa marrë parasysh nëse e lexojnë Kur’anin, Torën apo Biblën”.

Stevie Wonder ka bërë të ditur se për herë të parë në jetën e tij do ta performojë në tërësi albumin Songs in the Key of Life, të cilin muzikologët e konsiderojnë si njërin ndër albumet më të rëndësishme të muzikës bashkëkohore.

Si pjesë e koncertit të tij të përvitshëm bamirës, House Full of Toys, i cili mbledh fonde për t’u shpërndarë lodra fëmijëve nëpër jetimore, spitale dhe strehimore gjatë periudhës së festave, që do të mbahet më 21 dhjetor në Los Angeles, ai do ta performojë në tërësi kult albumin e tij.

“Kjo ka qenë një fantazi e imja që një kohë. Dua të bëj diçka me të cilën do t’i falënderoja të gjithë ata që më kanë përkrahur gjatë karrierës dhe ta falënderoj Zotin që ma ka dhënë mundësinë ta bëj muzikën që e bëj”.

“Duke e dëgjuar sërish këtë album, fascinohem me faktin se sa i rëndësishëm është ai sot”.

A.M.

1. Albumi i plotë Songs in the Key of Life.

2. Dokumentar për realizimin e albumit.