Rinumërimi zbulon dallaveret – shfaqen pakënaqësit e para në PDK: “Marre”, “Skandal i madh”, “Është vjedhur vullneti i qytetarëve”
Rinumërimi i votave në QNR i kandidatëve për deputetë po vazhdon. Ky proces ka nxjerr në pah dyshimet për dallavere të mëdha për vjedhje e ndryshim vullneti brenda partive, transmeton lajmi.net. Tek PDK-ja ky fenomen po vërehet më së shumti deri më tani. Kandidatit me numër 89, Fetah Paqarizit, deri më tani, nga rinumërimi i…
Lajme
Rinumërimi i votave në QNR i kandidatëve për deputetë po vazhdon.
Ky proces ka nxjerr në pah dyshimet për dallavere të mëdha për vjedhje e ndryshim vullneti brenda partive, transmeton lajmi.net.
Tek PDK-ja ky fenomen po vërehet më së shumti deri më tani. Kandidatit me numër 89, Fetah Paqarizit, deri më tani, nga rinumërimi i janë hequr afro 4200 vota. Nait Hasanit i janë hequr 2337 vota, Kujtim Gashit 1627 vota, Arianit Çollakut 1431 vota etj.
Tash, tek PDK-ja ka filluar një valë e pakënaqësive e reagimeve ndaj këtij fenomeni që ndodhi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha është shprehur shkurt, por shumë e mllefosur me atë që është duke ndodhur.
“MARRE.SHUMË MARRE.”, ka shkruar ajo.
Në postimin e saj kanë komentuar edhe bashkëpartiak të tjerë duke e cilësuar se është vjedhur vullneti i qytetarëve.
Kështu ka thënë kandidatja tjetër për deputete e PDK-së, Drita Kadriu në koment, tek postimi i Hoxhës.
“Tepër marre. Por kjo nuk është hera e parë që po ndodhë. Në secilat zgjedhje lokale e qendrore, është vjedhur vullneti i qytetarëve.”, shkroi ajo.

Një tjetër që ka reaguar është edhe Patriot Krasniqi, kryetar i degës së PDK-së në Itali. Ai ishte kandidat për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Krasniqi në postimin e tij tha se në zgjedhjet e 9 shkurtit ka pasur informacione se është dëmtuar rëndë, por ka menduar se është përgjigjësi institucionale, e jo individuale.
Ai ka kërkuar drejtësi dhe hetime nga organet kompetente.
“Një skandal i madh po ndodh me rinumërimin e votave në Prizren ku dallimi eshtë reth 4 deri në 5 mij vota! Me datën 9 shkurt, si ish-kandidat, jam dëmtuar rëndë. Kam pasur informacione, por kam menduar se përgjegjësia është institucionale dhe jo individuale, prandaj e kam parë të arsyeshme të mos reagoj atëherë, duke besuar në funksionimin e institucioneve. Më 9 shkurt, duke parë fushatën, angazhimin tim në Prizren dhe përkrahjen e qytetarëve, jam i bindur se kam dalë më i votuari në Prizren. Ky ishte vullneti i qartë i qytetarëve. Sot jam shumë i qetë dhe me zemër të hapur, sepse e di se kam punuar drejt dhe ndershëm, dhe pikërisht kjo bindje se kam dalë më i votuari më jep besim, duke parë qartë edhe përkrahjen që kam pasur nga qytetarët e Prizrenit dhe nuk do të ndalëm duke punuar. Nga frika e madhe qe kan menduar qe do të dalin keq në zgjedhje, i ka detyruar që veprimet e 9 shkurtit t’i vazhdojnë edhe më 28 dhjetor nga grupet kriminale në Prizren. Është e papranueshme dhe e turpshme të cenohet dinjiteti i qytetarëve të Prizrenit. Kërkoj drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, që të gjitha këto veprime të hetohen dhe të trajtohen nga organet kompetente. Prizreni e di kë e voton dhe e di kë e sheh si përfaqësues. TURP.”, shkroi ndër të tjera Krasniqi.
Sa janë dënimet për anëtarët e Komisionit Zgjedhor, nëse vërtetohet se kanë ndërhyrë në vullnetin e qytetarëve dhe kanë tentuar të devijojnë rezultatin e kandidatëve?
Sipas nenit 216 mbi falsifikimin e rezultateve të votimit, një anëtar i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërodrimt të detyrave pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, mund të dënohet nga 3 deri në 5 vjet burg.
NENI 216 – FALSIFIKIMI I REZULTATEVE TË VOTIMIT
1.Kushdo që shton, heq apo fshin votat apo nënshkriemt, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, ose publikon votën apo rezultate e zgjedhjeve apo të votimit që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve, dënohet me burgim 1 deri në 3 vjet.
2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërodrim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, kryesi dënohet me burgim prej 3 deri në 5 vjet. /lajmi.net/