Rigjykimi i rastit Sadovina: Besmir Ismajli dënohet me 18 vjet burg për vrasje të rëndë, Samet e Fisnik Ismajli lirohen nga akuza

Në rigjykim, për rastin në Sadovinë të Çerkezëve në Viti, sot u shpall aktgjykimi nga Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ku për “Vrasje të rëndë” u lirua Samet dhe Fisnik Ismaili, këta dy u dënuan për “Lëndim të lehtë trupor”. Për “Vrasje të rëndë” u dënua Besmir Ismaili me dënim në…

Lajme

05/03/2026 08:11

Në rigjykim, për rastin në Sadovinë të Çerkezëve në Viti, sot u shpall aktgjykimi nga Gjykata Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ku për “Vrasje të rëndë” u lirua Samet dhe Fisnik Ismaili, këta dy u dënuan për “Lëndim të lehtë trupor”. Për “Vrasje të rëndë” u dënua Besmir Ismaili me dënim në lartësi prej 18 vitesh. Në total, me aktgjykim dënues ndaj Fisnik, Besmir, Samet, Ismet dhe Hizri Ismajlit, u dënuan me 34 vjet burgim (së bashku) për vrasjen në Sadovinë të Çerkezëve në Viti.

Në këtë rast, aktakuza ngarkonte Fisnik, Samet, Besmir, Ismet dhe Hizri Ismajli, për rastin e vrasjes së M.I., për shkaqe pronësore, në maj të vitit 2019 në fshatin Sadovinë e Çerkezëve në Viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësi Sabedin Mushica.

Sipas vendimit, Besmir Ismajli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Samet dhe Fisnik Ismajli u dënuan me nga 5 vjet burgim për “Lëndim të lehtë trupor”, të cilët tashmë veçse i kanë kaluar 6 vjet heqje lirie. Samet dhe Fisnik Ismajli u liruan sot nga burgu.

Kurse, Ismet dhe Hizri Ismajli u dënuan me nga 3 vjet burgim për “Lëndim të lehtë trupor”.

Ndërsa avokati i Samet Ismajlit, Kujtim Kërveshi tha për “Betimi për Drejtësi se është i kënaqu me vendimin për shpalljen e klientit të tij të pafajshëm për “Vrasje të rëndë”, por paralajmëroi se do të parashtrojë ankesë ndaj vendimit për shpalljen fajtor për “Lëndim të lehtë trupor”, për shkak se i njëjti konsideron se është dënim i lartë.

Ankesë paralajmëruan edhe mbrojtësit e Fisnik dhe Ismet Ismajlit, avokatët Florent Latifaj dhe Yll Zekaj.

Më 21 mars 2022, Gjykata Themelore në Gjilan i kishte dënuar Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajlin, me 71 vite burgim (së bashku). Kurse, Edmond Ismajli ishte liruar nga akuza.

Gjykata e Apelit ua kishte zbutur dënimin në 60 vjet burgim. Por shkalla e tretë, e kishte kthyer lëndën në pikën zero për pesë të akuzuarit., të cilët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 17 dhjetorit 2019.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, Komuna e Vitisë, me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.

Sipas aktit akuzues, kjo ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit fillimisht shkojnë për të punuar në pronën kontestuese, e cila gjendet në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit M.I, me këtë rast ky i fundit me familjarët e tij dalin për të biseduar lidhur me arritjen e një marrëveshjeje, për çka këta të fundit refuzojnë, e që më pas vazhdojnë me fyerje, të cilat sjellin eskalimin e situatës deri në konflikt fizik.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.

Pas kësaj, sipas aktakuzës, i ndjeri transferohet në QKUK në Prishtinë, ku edhe konstatohet vdekja e tij si rezultat i gjakderdhjes masive në kokë, e shkaktuar nga përdorimi i mjeteve të forta.

Në këtë drejtim, sipas prokurorisë, të akuzuarit në fjalë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas aktit akuzues, i pandehuri Edmond Ismajli, për shkak të një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor me përdorimin e atëçastshëm të dhunës, në kohë dhe vend si në dispozitivin e parë, me dashje u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet dhe Fisnik Ismajlit, në atë mënyrë që gjatë kacafytjeve, me një lopatë i godet të dëmtuarit dhe u shkakton atyre ndrydhje të indeve.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri me tre vite burgim.