“Rezoluta për ish-krerët e UÇK-së s’u hartua nga PDK”, Hamza: Çdo vrasje në Kosovë duhet të zbardhet
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është kundërpërgjigjur liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me mosvotimin e Rezolutës për ish-liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Ai ka thënë se PDK ka qenë shumë e fokusuar për kalimin e kësaj rezolute në Kuvendin e Kosovës. “Rezoluta nuk është sponsorizuar nga PDK. Në rezolutë kanë…
Lajme
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është kundërpërgjigjur liderit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, lidhur me mosvotimin e Rezolutës për ish-liderët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Ai ka thënë se PDK ka qenë shumë e fokusuar për kalimin e kësaj rezolute në Kuvendin e Kosovës.
“Rezoluta nuk është sponsorizuar nga PDK. Në rezolutë kanë punuar më shumë se 300 intelektualë e ekspertë të ndryshëm dhe në fund peticioni, para disa muajve, është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk është ky dokument i draftuar prej PDK-së. Është tepër mirë që rezoluta ka kaluar me 90 vota të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me 90 vota ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe të gjithë duhet ta marrim shumë seriozisht këtë rezolutë dhe ne vazhdimisht do të kujdesemi që çdo pjesë dhe çdo pikë e kësaj rezolute ta japë efektin e vet. Ka pas diskutime në Kryesinë e Kuvendit, ka pasur një dakordancë mes partive politike që rezoluta dhe teksti i saj të hidhen në votim”, ka thënë ai.
“Edhe LDK-ja ka qenë pjesë e Kryesisë së Kuvendit dhe në momentet e fundit ka ardhur një propozim, një paragraf shtesë. Rezoluta është punuar prej dikujt tjetër, jo prej nesh si deputetë, dhe ata intelektualë dhe ata ekspertë kanë mundur me thënë jo, ky nuk është teksti të cilin ne e kemi propozuar dhe nuk është i duhuri. Ka kaluar në formën qysh ka ardhur prej ekspertëve, prej intelektualëve dhe jemi shumë falënderues dhe shumë mirënjohës”, ka shtuar ai në Debat Plus.
Tutje, Hamza ka thënë se sa i përket vrasjeve politike, ato duhet të zbardhen.
“Sa i përket vrasjeve politike, shkoj një notë pak më lartë, çdo vrasje në Kosovë duhet të zbardhet. Organet e drejtësisë duhet ta bëjnë punën e vet, të pa ndikuara prej politikës, jo këto të përdoren për qëllime politike. Mua më vjen keq për çdo jetë të humbur. Ka pasur ushtarë të UÇK-së të vrarë, oficerë, aktivistë të partive të ndryshme politike. Çdokush që është prekur nga kjo çështje ka të drejtën e botës me kërku prej organeve të drejtësisë zbardhjen, por jo kjo të përdoret veç për qëllime politike edhe në momente të caktuara politike. Prandaj, nëse dikush është i zëshëm me kërku zbardhjen e këtyre rasteve, unë jam shumë i zëshëm”, ka thënë Hamza.
Ai është pyetur gjithashtu nëse, në rast se një rezolutë e sjellë nga LDK lidhur me këto raste do të sillet në Kuvend, a do ta mbështesin.
“Të gjitha vrasjeve në Kosovë jemi të gatshëm me përkrah rezolutë”, ka përfunduar Hamza.