Rezistenca e OSBE’së

Zyrtarë të OSBE’së kanë sqaruar motivet për kërkesën që i kanë bërë KQZ’së. Pavarësisht arsyeve, KQZ mbrëmë ia refuzoi këtë kërkesë. Por, OSBE nuk dorëzohet.

Lajme

15/11/2013 13:57

Zëdhënësi i Misionit të OSBE’së në Kosovë, Nikola Gaon, ka thënë se kërkesa e misionit për KQZ’në ka ardhur për shkak të sigurisë së stafit të tyre por edhe vëzhguesve tjerë. Andaj, ai ka porositur, nuk duhet që askush ta keqkuptojë këtë kërkesë.

Për tri qendrat ku numërimi do të përsëritet më 17 nëntor, Gaon ka shprehur se çështja e numërimit të atyre fletëvotimeve do të diskutohet sërish me anëtarët e KQZ’së.

Askush nuk duhet të brengoset për materialin në këto tri qendra të votimit sepse, sipas tij, ato janë të mbyllura dhe të siguruara mirë.

Ai nuk sheh asgjë të keqe nëse në momentin kur mbyllen vendvotimet, materialet të merren nga Veriu i Kosovës dhe të dërgohen në Qendrën e Numërimit në Fushë Kosovë.

“Kjo kërkesë është bërë për shkaqe sigurie dhe besoj se kjo çështje do te diskutohet përsëri me KQZ’në. Ne duhet të brengosemi për tërë këtë proces, jo vetëm për sigurinë e stafit tonë, por edhe për sigurinë e komisionarëve që do të jenë prezent në qendrat e votimit gjatë ditës së zgjedhjeve”, ka thënë zëdhënësi Gaon për Kosovapress.

“Organet e rendit janë përgjegjëse për krijimin e një ambient të sigurt gjatë ditës së zgjedhjeve dhe është praktikë e mirë për të minimizuar mundësinë për incidente të mundshme dhe për këtë arsye do të diskutohet përsëri kjo çështje me KQZ\”.

Sipas Gaon, gjithçka është gati për rivotimin e së dielës më 17 nëntor, në të tri vendvotimet në atë pjesë të Kosovës, dhe se kanë angazhuar gjashtëdhjetë persona për vëzhgimin e procesit zgjedhor.

Për zgjedhjet që do të mbahen në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës këtë fundjavë, Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i janë zotuar se do të jenë vigjilent dhe reagues ndaj çdo parregullsinë procesi zgjedhor. Praninë e tyre në këto vendvotime ata e kanë paralajmëruar përmes një deklarimi publik.

“Popullata në veri të Mitrovicës mund të presin një prani të zgjeruar të Policisë së Kosovës jashtë qendrave të votimit, të mbështetura dukshëm nga EULEX’i. KFOR-i do të jetë i pranishëm në afërsi të qendrave të votimit dhe në fusha të tjera kyçe në mënyrë që të sigurojë një ambient të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të tyre”, tha Nikola Gaon për Kosovapress.

Bazuar në deklarimet e tyre publike Policia e Kosovës, EULEX’i dhe KFOR’i janë të përgatitur për të ndërhyrë menjëherë në rast se rrezikohet procesi zgjedhor.