Rexhepi: Koalicioni PDK-LDK krijon pozitë dhe opozitë të fortë

Bajram Rexhepi thotë se të drejtën për Kryeparlamentar e ka vetëm PDK dhe askush tjetër. Ai nuk përjashton mundësinë që të krijohet një koalicion me LDK-në. 

Lajme

10/09/2014 18:48

Kryetari i Kuvendit të Kosovës është e drejtë e rezervuar e PDK-së dhe askush tjetër nuk ka të drejtë ta zgjedh atë pasi, sërish do të jetë thyerje e Kushtetutës së Kosovës.

Kështu ka thënë anëtari i kryesisë së PDK-së, Bajram Rexhepi, i cili bëri të ditur se iniciator që mos të ketë qeverisje Thaçi 3 është Lëvizja Vetëvendosje, e cila me nënshkrimin e marrëveshjes së bërë me LAN, sipas tij, ka dëshmuar se krejt ajo çfarë po e bënë është lufta për pushtet dhe jo për interes të popullit siç kanë bërë retorika politike deri më tani.

Rexhepi në një intervistë për KosovaPress ka thënë se blloku në fjalë nuk ka mundësi që ta marrë pushtetin në mënyrë artificiale.

Ai ka shtuar se marrëveshja e nënshkruar mes këtyre subjekteve dhe kërkesat e bëra të Lëvizjes Vetëvendosje, janë të papranueshme sa i përket dialogut, rishikimit të privatizimit, etj, nga partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, sipas tij, këto kërkesa nuk lejohen as me normat demokratike.

Kjo marrëveshje dhe ky kundërshtim për qeverisjen e Thaçi 3, sipas Rexhepit, janë vetëm interesa grupore për luftën për pushtet pasi nuk kanë parë mundësi tjetër që ta mundin PDK-në.

Rexhepi ka thënë se në bazë të situatës reale nuk ka të dhëna të sakta se ai kanë numrat për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, por thotë se, nëse PDK-ja nuk mundët ose nuk merret vesh me ndonjë parti që të bëjë koalicionin atë herë kjo shkon në pafundësi.

Megjithatë, favorit i Rexhepit për koalicion mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës dhe komunitetet në mënyrë që, sipas tij, të ketë edhe pozitë edhe opozitë të fortë.

Nëse dështon që PDK-ja me partnerët e koalicionit ta zgjedhin kryetarin, sipas Rexhepit, ndërpritet seanca. Dhe nëse tenton blloku ta zgjedh kryetarin, kjo, sipas tij, është thyerje e kushtetutës dhe prapë do të shkojë në kushtetuese dhe do ta kenë të njëjtën përgjigje sepse është pothuajse e njëjta procedurë.

Rexhepi ka ftuar subjektet politike të jenë të vetëdijshëm dhe të gjejnë një formë që, sa më shpejtë të themelohen institucionet dhe mos të ketë vakum institucional për arsye se ajo është dëm për Kosovën, për qytetarët, për perspektivën e Kosovës. Ai ka pohuar se aktgjykimi i Kushtetueses është shumë i qartë por tjetër është dëshira dhe tjetër kamuflimi i të vërtetës. (KosovaPress)