Religjioni-shkenca-Kosova

Ata që vërtet duan të besojnë në zot, këtë mund ta bëjnë shumë më mirë pa ndërmjetësuesit e besimeve – pa religjionet, këto komitete politike të besimit. Nëse e beson dikush zotin, ai njeri duhet të ndihet i lidhur direkt me te dhe t’i përkushtohet atij përmes sjelljes së mirë dhe dashurisë për njerëzit, kafshët…

Opinion

29/02/2024 16:31

Ata që vërtet duan të besojnë në zot, këtë mund ta bëjnë shumë më mirë pa ndërmjetësuesit e besimeve – pa religjionet, këto komitete politike të besimit. Nëse e beson dikush zotin, ai njeri duhet të ndihet i lidhur direkt me te dhe t’i përkushtohet atij përmes sjelljes së mirë dhe dashurisë për njerëzit, kafshët dhe natyrën. E nëse këto tri postulate na mungojnë në jetë, atëherë ne jemi në kundërshtim me jetën humane dhe natyrën e zhvillimit njerëzor.

Shkruan: Pal Shtufi

Zoti që kanë shpikur religjionet është një gjetje imagjinare, e cila më së shumti e ka larguar njeriun nga mundësia për të zbuluar të panjohurat e mëdha mes njeriut dhe universit.

Në kohërat e shkuara, autoritetet më të larta religjioze e patën shpallur të panjohurën si “punë të zotit” e si rrjedhim, çdo hulumtim shkencor ishte i pavlerë dhe rreptë i dënueshëm. Ndërkaq shkenca në vazhdimësi dëshmon se: atë që nuk e njohim sot, e njohim në mot, prandaj është marrëzi ta quajmë të panjohurën zot!

Natyrisht, shkencëtarët janë të vetëdijshëm për vogëlsinë e kapaciteteve njerëzore përballë pafundësisë së universit, mirëpo, në anën tjetër, ata pandalshëm ishin dhe janë të interesuar për të kapur fenomenet, të cilat janë ose zhvillohen përtej përvojës dhe shqisave njerëzore. Gjurmët e kësaj përpjekje janë fakte të prekshme në çdo cep të globit tokësor dhe jashtë tij, deri në planetin mars dhe në hapësirën jashtë sistemit diellor, atje ku sondat Voyager 1 dhe 2 janë duke bërë rrugëtimin e tyre që nga viti 1977. Sot, ato sonda gjenden jashtë sistemit diellor (heliosferës) në një largësi prej 22 miliardë km nga toka.

Risitë e zbulimeve shkencore

Zhvillimi teknik dhe teknologjik, si për shembull teleskopët dhe inteligjenca artificiale, e ndihmojnë depërtimin e dijeve njerëzore edhe në “punët e zotit”. Vetëm nga viti 2022 e deri më sot, teleskopi më modern i të gjitha kohërave, “James Webb” – i vendosur 1,5 milion km larg tokës – ka sjellë risi shkencore dhe ka vënë në pikëpyetje shumë teori të derisotme mbi zhvillimin e universit. Pra, vetëm për dy vjet. Po në 50 vitet e ardhshme, çfarë do të sjell ky teleskop dhe mijëra teknologji tjera, të cilat janë në zbulim e sipër? Përgjigjja dihet. Shih sasinë dhe cilësinë e ndryshimit të botës vetëm nga viti 1960 e këtej dhe gjithçka bëhet e qartë.

Kosovarët nuk besojnë në shkencë

Kohëve të fundit doli një rezultat ku ishin testuar kosovarët nëse besojnë shkencën apo religjionin më shumë. Fatkeqësisht, mu në zhvillimin më të lartë të shkencës dhe zbulimeve marramendëse shkencore, njerëzit e këtij vendi kanë hequr dorë nga besimi në shkencë, duke iu kthyer besimeve mesjetare, të cilat tanimë janë në fundin e historisë.

Përfytyrojeni Persinë e lashtë dhe qytetërimin madhështor të saj. Qytetërim, i cili po të vazhdonte pa u ndërpre nga religjioni, sot do të ishte shumë më i lartë se të gjitha qytetërimet që ka bota.

Siç e dimë, vendet, të cilat kanë mbetur religjioze edhe në shekullin 20 e 21, janë të dënuara me ngecje fatale. Kanë mbetur të fundit e kësaj bote dhe janë bërë pengesë e ecjes normale edhe për shumë vende tjera.

Braktisja e religjioneve

Kosova kurrë nuk duhet të bëhet një vend, i cili nuk i beson shkencës dhe produkteve të saja humane dhe materiale. Aq më e thekshme bëhet kjo kërkesë, kur kujtojmë të mirat e pafund humane, demokratike dhe materiale mbi të cilat ne zhvillojmë jetën dhe lirinë e fituar.

Prandaj, braktisja e religjioneve është akt i lartë i vetëdijes kombëtare. Akt i cili përcakton ecjen krah popujve të përparuar të Evropës. Nëse braktisim religjionet, ne braktisim norma, mësime, rregulla dhe kanune tejet primitive mbi jetën, shkencën, estetikën, artin, muzikën dhe kulturën në përgjithësi.

Ata që vërtet duan të besojnë në zot, këtë mund ta bëjnë shumë më mirë pa ndërmjetësuesit e besimeve – pa religjionet, këto komitete politike të besimit. Nëse e beson dikush zotin, ai njeri duhet të ndihet i lidhur direkt me te dhe t’i përkushtohet atij përmes sjelljes së mirë dhe dashurisë për njerëzit, kafshët dhe natyrën. E nëse këto tri postulate na mungojnë në jetë, atëherë ne jemi në kundërshtim me jetën humane dhe natyrën e zhvillimit njerëzor.