Refuzohet padia ndaj ZRRE-së për daljen në treg të lirë për bizneset, reagon OEK
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton se ka pranuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në dy raste të ndara, me të cilat është refuzuar kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të publikuar nga ZRRE më 12 mars 2025. Sipas ZRRE-së, kërkesat për…

Lajme
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) njofton se ka pranuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë në dy raste të ndara, me të cilat është refuzuar kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të publikuar nga ZRRE më 12 mars 2025.
Sipas ZRRE-së, kërkesat për masën e sigurisë janë parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK).
Njëkohësisht, OEK i bënë thirrje ZRRE-së të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca dhe ekonomia e vendit
“Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë: Promovon konkurrencë më të madhe ndërmjet furnizuesve, Nxit presion për çmime më të ulëta dhe shërbim më cilësor për konsumatorët, U mundëson furnizuesve të ofrojnë oferta më të favorshme dhe zbritje, Rrit efikasitetin në sektorin energjetik, duke nxitur kompanitë të menaxhojnë më mirë kostot dhe të ofrojnë shërbime më të besueshme – në interes të konsumatorëve dhe publikut në përgjithësi”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas ZRRE-së, Gjykata ka vlerësuar provat e paraqitura nga paditësit, përfshirë formularët e deklarimit vjetor për tatimin në të ardhurat e korporatave, dhe ka konstatuar se bizneset në fjalë nuk kanë dëshmuar se kanë më pak se 50 punëtorë, ndonëse kanë vërtetuar qarkullim vjetor nën 10 milion euro.
“Në mungesë të përmbushjes së të dy kritereve njëkohësisht, Gjykata ka konstatuar se ZRRE ka vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Ndërsa, pas këtij njoftimi ka reaguar Oda Ekonomike e Kosovës, e cili njofton se Shoqata e Prodhuesve të Kosovës njofton se Gjykata Themelore në Prishtinë përkatisht Departamenti për Çështje Administrative ka refuzuar masën e sigurisë për pezullim të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) në rastin e padisë së paraqitur në formë grupore, me arsyetimin se legjislacioni aktual nuk lejon mbrojtjen ligjore në mënyrë kolektive.
“Kjo ka qenë padia e pare grupore e ushtruar nga Shoqata në emër të gjithë prodhuesve vendor. Ashtu siç ka deklaruar edhe Kryetari Rafuna, për arsye të legjislacionit, Oda Ekonomike e Kosovës nuk ka ushtruar padi në emër të 1300 bizneseve, por me hapjen e zyrës së re ligjore në kuadër të OEK, është duke i ndihmuar bizneset në përpilimin e padive, një nga një, në mënyrë individuale”, thuhet në reagim.
Sipas OEK, Gjykata Komerciale ndërkohë ka pranuar dhe është duke trajtuar paditë individuale të paraqitura nga bizneset që janë pjesë e Shoqatës së Prodhuesve dhe biznese të tjera të prekura nga vendimi i ZRrE-së, prandaj si rrjedhojë Shoqata dhe bizneset e prekura do të vazhdojnë me ngritjen e padive individuale, të cilat po pranohen dhe trajtohen nga Gjykata.
“Njëkohësisht, i bëjmë thirrje ZRrE-së të anulojë vendimin për daljen e dhunshme në tregun e lirë të energjisë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrenca dhe ekonomia e vendit”, thuhet në njoftim.
Për anulimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, KosovaPress ditë më parë ka siguruar disa vendime që janë marrë nga Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative më 25 qershor 2025.
Ankesa në Gjykatë ishte dorëzuar nga avokati Agron Selimaj nga Prishtina.
KosovaPress ka siguruar edhe aktvendimin e Gjykatës, në të cilën thuhet se sipas aktvendimit të datës 25 qershor 2025, Gjykata Komerciale, Departamenti për Çështje Administrative, ku thuhet se aprovohet si e bazuar propozimi i paditësit për caktimin e masës së sigurisë për pezullimin e ekzekutimit të njoftimit. Më tej në këtë aktvendim thuhet se pezullohet ekzekutimi i njoftimit të datës 03.06.2025 për mos lejimin e paditësit, propozuesit të shtetëzoj furnizimin nga shërbimi universal, i nxjerr nga zyra e ZRRE, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë qëndron fuqishëm prapa deklarimeve të saj se procesi i liberalizimit është shoqëruar me një sërë shkeljesh procedurale dhe substanciale, të cilat janë evidentuar edhe nga institucionet evropiane.
Bizneset e Kosovës kishin organizuar protesta kundër vendimit të ZRrE, pasi sipas përfaqësuesve të bizneseve një veprim i tillë do të krijonte një ekonomi të rënduar në Kosovë.