Refuzimi i vetvetes

Duhet lënë prapa një mentalitet të trashëguar politik që i tëri ndërtohet mbi inatin dhe sedrën, për të marrë vendimet e domosdoshme për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Lajme

07/07/2016 12:02

Kush ka të drejtë në gjithë këtë përplasje të vazhdueshme faktesh, bindjesh dhe emocionesh, në temat të cilat pa kurrfarë dyshimi kanë veçorinë e interesit kombëtarë apo shtetërorë?

Kujt duhet t’i besohet në gjithë këtë zhurmë politike akuzash dhe kundërakuzash e cila karakterizon në masë të madhe debatet publike për këto tema?

Muajve të fundit, gati që nuk ka kaluar një ditë e lume, në Kosovë dhe në Shqipëri, pa u trajtuar, nga politikanët, nga mediat, nga analistët dhe opinionistët, dy çështje madhore, adresimi dhe zgjidhja e të të cilave është kusht i domosdoshëm, nëse Kosova dhe Shqipëria duan ta përshpejtojnë ndërmarrjen e integrimit në Bashkimin Evropian.

Tek ne, kemi të bëjmë me Ratifikimin e Marrëveshjes së shënjimit të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, pa të cilin nuk mund ta fitojmë të drejtën për Liberalizimin e vizave.

Andej, fjala është për Reformën në drejtësi, e cila ka një vlerë të veçantë për instalimin e mirëfilltë të Sundimit të ligjit në Shqipëri, pa të cilin nuk ka gjasa që ky shtet ta bëjë një hap shumë të rëndësishëm kah anëtarësimi në BE.

Kemi punë pra, në te dy rastet, me detyrimet vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë afate të caktuara kohore.

BE dhe SHBA janë së bashku në qëndrimin që Prishtina dhe Tirana duhet sa më parë të përmbyllin këto obligime.

Dihet pra çka duhet të bëhet. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Një qytetar i rëndomtë i Kosovës dhe i Shqipërisë, aktualisht, nëse nuk ka provuar të marrë vetë informacion shtesë për temën e Ratifikimit të shenjimit të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, ndryshe, dy shtete mike, dhe për temën e Reformës në drejtësinë në Shqipëri, e ka njëmend të pamundur të kuptojë se çka po ndodhë në politikat shqiptare këndej dhe andej kufirit. Nuk ka kufi kur bëhet fjalë për mentalitetin mbizotërues në politikat shqiptare.

Çfarë sheh dhe çka kupton çdo ditë ky qytetar i rëndomtë është përdorimi, prej dy palëve krejtësisht të konfrontuara, i fjalëve dhe mendimeve të cilat nuk njohin, së paku në rrethanat e tanishme, asnjë mundësi të kompromisit, apo të ndërtimit të vlerësimeve dhe qëndrimeve të cilat hapin udhë për një konsensus kombëtarë, në çështjet që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

Ky qytetar, nëse vet nuk ka orientime të qarta politike, apo nëse nuk ka të veshur ‘fanellën’ partiake e cila automatikisht e orienton kah një tabor politik, gjithnjë e më shumë anon kah një konkludim që fajëson të gjithë politikanët shqiptarë, për situatën e krijuar në te dy këto tema madhore, duke preferuar ‘statusin personal’ të mosbesimit tek të gjithë.

Për këtë qytetar, nëse ende i ka mbetë pak durim për tu marrë tutje me këto dy çështje, është e pakuptimtë pse nuk mund të ketë takime pune midis dy palëve, pa kamera, pa deklarata mediatike, pa ngritë zërin dhe pa fajësuar askë, ku do të ofroheshin me gjakftohtësi dhe me synim për të gjetë zgjidhje, të gjitha argumentet e mundshme.

Këto argumente natyrisht, nuk do të synonin deklasimin e palës tjetër, as shpalljen e fitores së menjëhershme politike, por do të provonin që ta instalojnë logjikën e shoqërorizimit të vendimmarrjes politike për çështjet që duhet të bashkojnë pozitë dhe opozitë, sepse tek e mbrama, që të gjithë qeveritarë dhe opozitarë thonë ditë e natë që në politikë janë për të mbrojtur interesat jetik të qytetarëve, dhe interesat e shtetit  (të Kosovës dhe të Shqipërisë).

Nuk është punë vote, as të ndikimit politik, as të imazhit personal, në preokupimin me këto dy tema, në Kosovë dhe në Shqipëri.

Barra e përgjegjësisë është shumë e madhe, realisht, kur dihet se cilat do të jenë pasojat për qytetarët e këtyre dy shteteve, prandaj, ajo duhet t’i bashkojë politikanët dhe partitë, Qeverinë dhe opozitën.

Tani është çështje ditës, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, për të marrë vendimet e duhura.

Duhet lënë prapa një mentalitet të trashëguar politik që i tëri ndërtohet mbi inatin dhe sedrën, për të marrë vendimet e domosdoshme për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Zatën, në rrethanat e tanishme ndërkombëtare, të cilat sa vijnë dhe ndërlikohen, edhe miqtë tonë më të mëdhenj në Amerikë dhe në BE kanë gjithnjë e më pak durim për ne.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)