Reforma zgjedhore sa për sy e faqe, Daka kritikon procesin

Valdete Daka kritikon ecurinë e procesit të reformës zgjedhore, duke thënë se kjo reformë është bërë sa për sy e faqe. Thotë se politikanët po mundohen të kryejnë në prag të zgjedhjeve diçka që s’është arritur të përfundojë gjatë tre vjetëve.

Lajme

11/02/2014 08:57

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka thënë të hënën se me apo pa reformë zgjedhore KQZ’ja është e gatshme të organizojë çfarëdolloj zgjedhjesh.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm edhe për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. KQZ’ja e ka edhe obligim kushtetues organizimin e zgjedhjeve të parakohshme”.

“Natyrisht që sa më shumë kohë të kemi për t’u përgatitur do të ishte më mirë, por në rast se zgjedhjet shpallen më herët, atëherë ne si KQZ kemi obligim t’i mbajmë ato”, ka thënë Daka një intervistë për ‘Epoka e re’.

Ajo ka treguar se organizimi eventual i zgjedhjeve të jashtëzakonshme me ligj të ri do të ishte më problematik për KQZ’në.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme me ligj të ri është më problematike për KQZ’në, sepse duhet më shumë kohë për at bërë harmonizimin e nevojshëm të legjislacionit”, ka thënë ajo.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka kritikuar ecurinë e procesit të reformës zgjedhore, duke vlerësuar se reforma zgjedhore është duke u bërë në atë mënyrë që t’u shkojë për shtati politikanëve.

“Tekefundit, këtë ligj janë duke e bërë politikanët, jo ata që e implementojnë ligjin dhe jo ata që drejtpërsëdrejti është dashur të merren me të. Këtë ligj janë duke e bërë politikanët siç u shkon për shtati atyre”, ka deklaruar Daka duke shtuar se në mungesë të një vullneti politik ky proces është stërzgjatur.

“Sikur të kishte vullnet deri më tani do të ishte përfunduar kjo reformë, jo një herë, por tridhjetë herë! Për tre vjet kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’i marrë rekomandimet e KQZ’së dhe të ekspertëve”, ka thënë Daka.

Ajo ka kërkuar afat shtesë nga Komisioni për Legjislacion për përgatitjen e rekomandimeve për reformë zgjedhore nga ana e KQZ’së.

“KQZ’së i duhet hapësirë më e madhe kohore për t’i bërë gati rekomandimet për reformën zgjedhore, duke pasur parasysh se draftligji është voluminoz si dhe duke pasur parasysh se ka pasur ndryshime të shumta. Prandaj konsideroj se anëtarët e KQZ’së nuk e kanë pasur hapësirën e duhur që është dashur t’u jepet për t’i bërë rekomandimet për draftin e ligjit për zgjedhjet”, ka deklaruar ajo për ‘Epoka e re’.