Referendumi, reagimi i Blushit: Sot kam fituar lirinë!

18:46 | 10 Prill 2016

Ben Blushi

Vetëm një ditë pas referendumit të mbajtur në Partinë Socialiste, për të përcaktuar nëse mandati i kryetarit aktual, Edi Rama, ishte i ligjshëm duke qenë se ka fituar dy proceset e fundit zgjedhore, edhe pse në kundërshtim me Statutin e partisë, që kërkon zgjedhjen e kryetarit një herë në 4 vite, ka ardhur edhe reagimi i deputetit të Partisë Socialiste, njëherazi kundërshtar i hapur i Edi Ramës për shkak të shkeljes së Statutit, Ben Blushi.

Në një letër për shtypin, ai sqaron gjithçka mbi referendumin, të cilin e quan “PARAMA PAPERS”, si dhe faktin që nga ky referendum nuk ka dalë i humbur. Në fund të letrës, ai bën gjithashtu thirrje jo për ta përçmuar “Rilindjen”, por për ta rrëzuar atë. Dihet që Blushi ka një tjetër konsideratë për “Rilindjen”, duke e ndarë atë nga Partia Socialiste, së cilës i përket… ose i ka përkitur, teksa thotë se tashmë ka fituar lirinë.

Ja letra e plotë:

Meqë për shumë vite kam qenë gazetar, kam mësuar një gjë: e vërteta del duke e kërkuar.

Kjo m’u kujtua edhe dje, ndërsa ndiqja lajmet për referendumin dhe mënyren sesi ato po jepeshin “online”.

Të gjithë televizionet ishin përqëndruar te vitrina e referendumit në qendër të Tiranës, ku votues mbi bastun u thoshin vajzave mbi mikrofon, se ata po votonin me bindje që Edi Rama të vazhdonte të ishte Edi Rama.

Nuk pashë asnjë kronikë tjetër. Asnjë lajm nga fshatrat apo nga zonat e tjera të vendit, asnjë njeri që votonte dhe asnjë proces numërimi.

Meqë ra fjala, a ka ndonjë televizon që ka marrë pjesë në numërim dhe hapje kutish? Asnjë deri tani. Këto janë votimet  e para në Shqipëri, nëse mund të quhen votime, ku nuk ka asnjë dëshmi nga procesi i numërimit.

Nuk dihet sesi është votuar nëpër fshatra, çfarë ka ndodhur me listat, kush ka marrë pjesë në votim, sa të sigurta kanë qenë kutitë e votimit, pra asnjë gjë tjetër.

Vartësit e Edi Ramës numëronin votat e Edi Ramës.

Dy ditë më parë, këtë referendum e kisha quajtur “PARAMA PAPERS”, që do të thotë një proces politik jashtë kontrollit, që në gjuhën e financave quhet “offshore”. Pa taksë!

Taksa e kontrollit mbi referendumin dje ishte zero. Ishte një referendum pa taksë lirie.

Mesa duket kisha të drejtë që e përçmova si një grabitje.

Fishekzjarret më provuan se, ankthi i njeriut që e sajoi referendumin paska qenë më i madh se manipulimi i procesit, më i rëndë se pesha e kutive të mbushura dhe më i gjatë se lartësia e zjarrvënies.

Vetëm në Panama mund të festohej nga bashkia e kryeqytetit një referendum partiak.

Por, meqenëse mediat e Tiranës e kanë marrë të mirëqenë se, dje ka fituar Edi Rama dhe kam humbur unë, pa u marrë fare me cilësinë dhe mënyrën e administrimit të këtij refendumi, madje duke e marrë të mirëqenë këtë votim më kanë bërë thirrje sot të largohem nga PS, pasi humbja paska qenë kaq e thellë sa për mua nuk ka më vend në atë gropë, që sipas tyre është PS, dua të them nja dy-tri të vërteta për të gjithë.

Në këtë referendum unë nuk isha.

Që në fillim nuk kam qenë dakord me këtë sajesë, që kishte vetëm një synim: të më hiqte të drejtën e kandidimit.

Ky ishte një referendum kundër meje, çfarë e them pa modesti.

Nuk jam autori i tij, por isha qëllimi i tij.

I bindur se Edi Rama kishte frikë nga gara, e lashë vetëm me vartësat e tij, të cilët bënë listat, i ndryshuan, i hartuan, i hëngrën dhe i kafshuan, sikur të ishin copa dhjami mbi një tryezë të kalbur.

Ky rerefendum ishte në kundërshtim me Statutin e PS, i cili kërkon që të mbahen zgjedhje për kryetarin e PS një herë në 4 vite.

Ky referendum u krye në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të PS, sipas të cilit referendumet nuk mbahen dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit.

Në këtë referendum nuk pati palë, pasi palës që teorikisht e kundërshtonte nuk i njohën fushatën, vëzhguesit, numëruesit dhe kontrollin mbi listat.

Pyetja është pse?

E thjeshtë: për ta grabitur dhe për ta manipuluar, siç edhe ndodhi.

Për të shitur një fishekzjarr si zjarr.

Kam qindra mesazhe nga socialistë në të gjithë Shqipërinë, që nuk kanë votuar dhe që dëshmojnë se, sidomos në fshatra, nuk është votuar fare. Në shumicën e komunave, kutia e votimit është qarkulluar nga një fshat në tjetrin, duke u shkuar njerëzve nëpër shtëpi. Ky referendum ishte bosh, si një kioskë ambulante e falimentuar.

Ai nuk shiste fiq, por blente nënshtrim.

Sa për dijeni, referendumi ka pasur kuti votimi vetëm në qendrat e komunave të vjetra që kemi pasur.

A beson njeri se, socialistët nga fshatrat e thella kanë shkuar të votojnë në qendrat e komunave, që në shumë raste janë mbi një orë larg?

Jo vetëm dyshoj, por e di që nuk kanë shkuar.

Ata nuk kishin pse të shkonin në një votim, rezultati i të cilit dihej.

Edhe pas referendumit, Edi Rama do ishte sërish Edi Rama. Po aq i vjetër dhe demodé, dhe po aq frikacak sa ç’ishte edhe një ditë më parë.

E për çfarë duhet të harxhonin karburant dhe kohë për Edi Ramën kundër Edi Ramës, i cili dje nuk ka vlejtur as sa dyqind lekë naftë në serbatorin e socialistëve?

Nëse siç pretendohet, në referendum kanë marrë pjesë mbi 90 për qind e listës së votuesve, kjo i bën socialistët një racë e panjohur votuesish deri më sot dhe dua ta them pse-në.

Në dy zgjedhjet e fundit, parlamentaret e vitit 2013 lokalet e vitit 2015, shqiptarët kanë shkuar në votime në masën 54 dhe respektivisht 49 për qind.

Kjo do të thotë se, socialistët shqiptarë votojnë më shumë për një referendum pa kuptim, sesa për deputetët dhe kryetarët e tyre të bashkive, të cilët nga shifrat del se i votojnë më pak.

Nëse kjo është e vërtetë, deputetët dhe kryetarët e bashkive që dje kanë numëruar votat dhe kanë mbushur kutitë duhet të skuqen dhe të fusin fishekzjarret në akull.

Sipas të dhënave që më kanë ardhur nga e gjithë Shqipëria, më rezulton se në referendum nuk kanë marrë pjesë më shumë se 40 për qind e listës.

Organizatorëve iu takon të provojnë se nuk është kështu, duke bërë publike procesverbalet e votimit dhe natyrisht duke hapur kutitë.

Unë nuk do të them hap kutitë ose largohu, por do të them hap kutitë ose turpërohu!

Për të gjithë ata, që sot besojnë se në këtë referendum paskam humbur, dua t’u them një gjë: Askush nuk humb lirinë nga një grabitje.

Dhe sidomos nga një grabitje publike, që ndodhi në ekran. Aq më pak unë.

Ky referendum më bindi se, në Partinë Socialiste nuk lejohet më votim. Kjo ka ndodhur për 7 vite me radhë. Kjo ndodhi në Kongres, kur nuk u votua për asgjë përveçse me dorën lart, dhe kjo ndodhi edhe dje kur kutitë u mbushën.

Megjithatë, sot jam njeriu më i kënaqur dhe njëkohësisht më i trishtuar në Shqipëri dhe dua të shpjegoj pse:

Jam i kënaqur, sepse vetëm me një fjali e detyrova “Rilindjen” të futej në kuti.

Kosto më të vogël për të provuar një të vërtetë nuk kisha paguar kurrë.

Duke thënë se do kandidoj për kryetar të PS-së e nxita “Rilindjen” të armatoste disa mijëra vetë duke u dhënë atyre kuti, makina, bankina, lista, kanistra, lapsa, hapsa, goma, dhoma, karrige, tavolina, kartolina, kartona, butona, hudhra, kudhra, karrota, rrota, fiq, pika, thika dhe pistoleta, zjarre dhe fishekzjarre, me të cilët menduan se më kanë goditur dje.

Por kjo ishe e vetmja mënyrë për t’i treguar Shqipërisë se nga kush drejtohet.

Dhe besoj se Shqipëria më kupton. Dhe më mirëkupton.

Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’u provuar shqiptarëve se liria ka një çmim, që ata duhet ta paguajnë që ta kenë.

Kjo ishte e vetmja mënyrë për të vërtetuar se, “Rilindja” është dhe ka qenë një lavatriçe e mediokritetit dhe e shëmtisë në këtë vend.

Çka më trishton.

Më trishton, kur shoh sesi një parti është futur në lavatriçen e “Rilindjes” për të pastruar rrobat e Funeralit të vet.

Për të gjithë ata që besojnë se unë kam humbur, kjo është përgjigjja ime:

Sot nuk kam humbur asgjë. Sot kam fituar lirinë time. Dhe kjo vlen më shumë se çdo referendum. Dhe më shumë se çdo parti.

Liria ime nuk futet në lavatriçe, sepse nuk ka nevojë të pastrohet. Pas shumë vitesh do të kem rast të qesh, duke treguar shakanë time të plotë. Por deri atëherë kam shumë gjëra për të bërë. Do t’i tregoj Shqiperisë se nuk është koha për ta përçmuar “Rilindjen”, por për ta rrëzuar. /TopChannel