Reali refuzon Barcelonën për Di Marian

Barcelona ka shprehur gatishmëri të paguajë 60 milionë euro për transferimin e Angel di Marias. Mirëpo, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez ka refuzuar të hyjë në bisedime me gjigantin katalan.

Sport

22/08/2014 11:36

Në orët e fundit, Barcelona ka shprehur interesim për transferimin e Angel di Marias. Nëpërmjet një përfaqësuesi, gjiganti katalan njoftoi rivalin Real Madrid se është i gatshëm të paguajë 60 milionë euro për yllin argjentinas.

Mirëpo, presidenti i Los Blancos, Florentino Perez nuk ka dashur që fare të hyjë në bisedime për shitjen e Di Marias në Camp Nou, ka njoftuar e përditshmja sportive katalane “Sport”.

Di Maria ka kërkuar të largohet nga Real Madrid gjatë këtyre ditëve të fundit të afatit kalimtar të verës – njoftoi trajneri Carlo Ancelotti – por gjiganti madrilen në asnjë mënyrë nuk do të pranojë që ta shesë atë tek rivali më i madh i La Ligës, Barcelona.