Reagon Kushtetuesja: Deklaratat e Kurteshit presion i drejtpërdrejtë
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar pas akuzave të Avokatit të Popullit, Sami Kurteshi se kjo gjykatë nuk ka pas kuorum, në rastin e vazhdimit të mandatit për gjyqtarët.
Lajme
Në një reagim për media të Gjykatës Kushtetuese thuhet se kjo gjykatë asnjëherë nuk është përballur me mungesë të kuorumit.
Po ashtu Kushtetuesja, pohimet e Kurteshit i vlerëson si presion të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së këtij institucioni.
“Gjykata Kushtetuese bën të ditur se asnjëherë dhe në asnjë rast deri më sot nuk ka pasur probleme me kuorumin e saj, që d.m.th. se çdo herë dhe në secilin rast ka pasur kuorumin e duhur si Gjykatë”.
“Deklaratat e fundit nga institucionet e caktuara të Republikës së Kosovës janë presion i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese së Kosovës dhe shantazh ndaj punës së saj”.
“Gjykata Kushtetuese, sikur deri më sot, do të qëndrojë tërësisht e pavarur në përmbushjen e detyrave dhe të obligimeve të saj kushtetuese”.
“Gjykata, po ashtu, bën me dije opinionin e gjerë se nuk e ka ndërmend të zmbrapset nga kryerja e detyrave të saj kushtetuese, përkundër presioneve dhe shantazheve që po i bëhen”, thuhet në njoftim.