Rashiq thotë se në Paris do të ketë marrëveshje në parim mes Kosovës dhe Serbisë

Kryetari i Partisë Progresiste Demokratike, Nenad Rashiq, ka theksuar se në Samitin e Parisit do të ketë një marrëveshje në parim mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme

20/05/2019 21:24

Rashiq thotë se pas mbajtjes së Samitit të Berlinit e deri në Samitin e Parisit do të shtohet intensiteti i takimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Do të shtohet intensiteti i takimeve, në Samitin e Parisit do të ketë diçka zyrtarisht, që do të quhet si marrëveshje në parim. Por, nuk e di se çfarë marrëveshje do të jetë”, ka thënë ai për televizionin “Dukagjini”.

Rashiq deklaroi se asnjëra palë as ajo e Kosovës dhe as e Serbisë nuk po tregojnë asgjë, dhe se çdo iniciativë që është e fshehur në një moment do të kontestohet ligjshmëria e saj.

Ai ka thënë se gjatë qershorit do të ketë shtim të takimeve para datës 1 korrik kur në Francë do të mbahet takimi i radhës i ftuar kësaj radhe nga presidenti i Francës Emmanuel Macronn.

Rashiq deklaroi se në Samitin e Berlinit është konfirmuar qëndrimi i shteti gjerman kundër ndryshimit të kufijve.

“Takimi nuk ka qenë teknikisht serioz, ka qenë një rritje e problemit ose e vëmendjes së bisedave në nivel më të lartë. Gjermania është kundër ndarjes dhe korrigjimit të kufirit. Konsideroj që ka rënë poshtë ideja e korrigjimit të kufirit”, është shprehur Rashiq.

Mes tjerash, Rashiq ka thënë se ideja e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve ka qenë vetëm për përdorim të brendshëm, dhe se nuk mund të realizohet.

“Ideja e presidentit Thaçi ka qenë vetëm sa për të manipuluar me njerëzit e Kosovës. Pas takimit të Berlinit është e qartë se nuk do të ketë diçka të tillë”, ka theksuar ai.