Raportuesi i PE-së kritikon Beogradin për kushtëzimin e dialogut me Trepçën

Serbia nuk duhet ta kushtëzojë dialogun me Kosovën me heqjen dorë të Kosovës nga nacionalizimi (kthimi në pronësi të shtetit) të Trepçës, ka thënë në Parlamentin Evropian, David McAllister, raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian.

Lajme

19/01/2015 18:56

David McAllister ka deklaruar se Serbia nuk duhet ta kushtëzojë dialogun për normalizimi e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me heqjen dorë të nacionalizimit të kombinatit Trepça, transmeton Indeksonline.

“Kam dëgjuar në prag të seancës se Serbia paralajmëron se do të suspendojë pjesëmarrjen në dialogun e nivelit të lartë politik në rast se qeveria kosovare e nacionalizon Trepçën”, u ka thënë McAllister anëtarëve të Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, në të cilin sot është prezantuar propozimi i parë i raportit për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

“Nëse ky lajm është i vërtetë, kjo është për keqardhje”, ka thënë raportuesi i PE-së, duke shtuar se dialogu me Prishtinën është kushti kryesor i Serbisë drejt integrimeve Evropiane.