Raportimi i lajmi.net jep efekt, supermarketet i korrigjojnë flamujt në artikujt e Serbisë

Që prej 28 dhjetorit të vitit që lamë pas, marketet në Kosovë ishin të detyruara që afër produkteve që shisnin, të vendosnin edhe flamurin e vendit të origjinës.

Lajme

24/01/2019 19:59

Kjo në bazë të një udhëzimi adminstrativ të lëshuar nga MTI, shkruan lajmi.net.

E lajmi.net raportoi më herët për dallaveret e marketeve në kryeqytet lidhur me këtë vendim të ministrisë.

Në rrjetet e marketeve “Maxi” dhe “Interex”, afër produkteve të Serbisë ishin vendosur flamujt Brazilit, ose nuk ishin vendosur fare.

Kështu ishte renditja e produkteve para dhe pas raportimit të lajmi.net.

Madje, nga fotografitë e siguruara nga lajmi.net ishte vërejtur se flamuri i Kosovës ishte vendosur në produkte që nuk prodhohen fare në vendin tonë.

Lexo edhe:

Inspektorati në gjumë, produkteve të Serbisë marketet u vendosin flamuj të Kosovës e të Brazilit

Ky raportim i lajmi.net dha efekt.

Menjëherë pas publikimit të tij, Inspektorati i Tregut ka dalë në terren për të shikuar gjendjen nga afër.

Në marketin “Maxi”, flamujt e Brazilit që ishin më parë, janë zëvendësuar me ata të Serbisë, vend ky nga i cili vijnë produktet në fjalë.

E, edhe në “Interex”,  në shumicën e produkteve serbe afër të cilave nuk ishte vendosur flamuri, tashmë është bërë një gjë e tillë.

Kujtojmë, se në lidhje me këtë dukuri, Inspektorati i Tregut ka paralajmëruar dënime shumë të ashpra deri në 20.000 euro.

Gjatë ditës së sotme, është gjobitur “Super Viva”, pasi që të njëjtët vendosën flamuj të Kosovës në produktet serbe. /Lajmi.net/

Lexo edhe:

MTI gjobit marketin ‘Super Viva”, vendosi flamuj të Kosovës në produkte serbe