Inspektorati në gjumë, produkteve të Serbisë marketet u vendosin flamuj të Kosovës e të Brazilit

Që nga 29 dhjetori i vitit që lamë pas, marketet në Kosovë janë të detyruara që produkteve në shitje, t’u vendosin edhe flamurin e vendit të origjinës.

Lajme

24/01/2019 12:04

Vendosja e flamujve është bërë në bazë të një udhëzimi administrative të lëshuar nga ministria e Tregtisë dhe Industrisë, shkruan lajmi.net.

Madje, në disa Inspektime që ishin bërë në pikat shitëse, nga zyrtarë të MTI-së ishte thënë se ky udhëzim po zbatohet në tërësi dhe se bizneset janë të interesuara për implementimin e tij.

Mirëpo, kjo nuk po del të jetë krejtësisht ashtu siç po thuhet.

Në kryeqytet, në disa nga marketet e shitjes me shumicë, janë evidentuar parregullsi të shumta, madje, produkteve me prejardhje nga Serbia u janë vendosur edhe flamujt e shtetit të Brazilit.

Lajmi.net këtë dukuri e ka evidentuar në rrjetin e marketeve “Maxi” në kryeqytet, konkretisht në lagjen 4 Llulla.

E për t’i ikur syrit të konsumatorit, disa nga bizneset, produkteve serbe as që u kanë vënë flamujt e shtetit të origjinës.

Dukuria e mos vendosjes së flamujve dhe vendosja e tyre jo e saktë është vërejtur edhe në rrjetin e marketeve “Interex” në kryeqytet, konkretisht në dy prej tyre që gjenden në rrugën “Bajram Kelmendi” në lagjen 4 Llullat.

Por kjo nuk është e tëra. Lexues të lajmi.net kanë dërguar fotografi në drejtim të redaksisë, ku të njëjtit ankohen se produkteve serbe, dhe produkteve të cilat nuk prodhohen në Kosovë, u janë vendosur flamujt shtetërorë.

Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe tek kryeinspektori i tregut, Lulzim Syla, mirëpo deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kujtojmë, se vendimi për vendosjen e flamujve të vendit të origjinës afër produkteve ushqimore, ishte si rrjedhojë e vendosjes së taksës prej 100 për qind.

SHBA-të dhe BE-ja tash e sa kohë kanë intensifikuar presionin e tyre ndaj institucioneve kosovare për tërheqjen prapa të këtij vendimi. /Lajmi.net/