Rama zemërgjerë, amniston përkohësisht Sali Berishën për “krimet”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një interviste në emisionin Opinion, përballë gazetarit Blendi Fevziu, ka folur për skandalin e grabitjes së Bankës së Shqipërisë si dhe i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Lajme

18/09/2014 23:48

“Krimet e Berishës janë amnistuar përkohësisht”, u shpreh Rama, duke iu referuar “Gërdecit”, “21 janarit”, si edhe skandaleve të tjera ku është përfshirë Berisha.

Rama u shpreh se arrestimi i Ardian Fullanit nuk është një “hakmarrje” nga ana e tij, duke theksuar se marrëdhënia e tij me Guvernatorin e BSH-së ka qenë shumë korrekt.

“Bashkëpunimi me Guvernatorin ka qenë korrekt dhe tërësisht miqësor. Nuk jam nga ata njerëz që jetojnë me kodin e hakmarrjes apo gjakmarrjes. Nuk e njoh këtë kod”, u shpreh ai.

Rama gjithashtu tha se është i shqetësuar nga “klithma për gijotinë”, duke iu referuar thirrjeve për ndëshkimin e Fullanit pa gjyq.

“Më ka shqetësuar klithma për gijotinë. Klithma për gijotinë nuk ka sjellë asnjëherë asgjë të mirë”, tha ai.

Rama tha se është e padrejtë edhe masa arrest shtëpie për Fullanin, duke qenë se nuk i lejohet të flasë me asnjë përveç njerëzve me të cilët bashkëjeton. Gjithashtu ai kritikoi edhe masën arrest me burg për Elivar Golemin, duke e cilësuar të padrejtë.