​Rama i drejtohet Kushtetueses: Ministria e Financave po bllokon qëllimshëm 35 milionë euro të kryeqytetit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dorëzuar të premten kërkesë-padi në Gjykatën Kushtetuese kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për siç tha, bllokimin për nëntë muaj të 35 milionë eurove. Rama akuzoi ministrin në detyrë, Hekuran Murati se po bën shkelje të rëndë kushtetuese pasi po cenon buxhetin e kryeqytetit, duke prolonguar…

Lajme

05/09/2025 11:52

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dorëzuar të premten kërkesë-padi në Gjykatën Kushtetuese kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për siç tha, bllokimin për nëntë muaj të 35 milionë eurove.

Rama akuzoi ministrin në detyrë, Hekuran Murati se po bën shkelje të rëndë kushtetuese pasi po cenon buxhetin e kryeqytetit, duke prolonguar projektet dhe jetën e qytetarëve. Sipas tij, kjo bllokadë po bëhet qëllimisht dhe është “puro politike”.

Ai tha se pretendimet se bartja e mjeteve nuk po bëhet për shkak të moskonstituimit të Kuvendit dhe mosrishikimit të buxhetit në nivel qendror nuk janë të vërteta, pasi tha se ata e kanë aprovuar buxhetin brenda afateve kohore ligjore dhe sipas tij Murati ka pasur kohë deri më 9 shkurt që ta futë brenda buxhetit të Kosovës, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Kemi një bllokadë puro politike. Fondet tona, të cilat me ligj i takojnë kryeqytetit dhe shpenzohen në të mirën e kryeqytetit, janë të bllokuara tash e nëntë muaj. E kemi parë që gjatë këtyre katër viteve në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme. Prej unazës së kryeqytetit ku e kanë bllokuar procesin e zhvillimit, ku 82.4 milionë prej 206 milionë kanë qenë falas, por ministri Murati e ka bllokuar procesin para tri viteve. I njëjti ka vazhduar të bllokojë edhe procese të tjera…Ne e kemi aprovuar buxhetin më 9 dhjetor të vitit 2024. Ne kemi pasur kohë deri në fund të vitit dhe i kemi shkruar edhe atëherë qeverisë që të mos mbajnë mbledhjen deri të aprovohet buxheti, përkundër që kemi pasur një opozitarizëm destruktiv nga dy partitë në asamble, por ia kemi dalë për ta aprovuar më 9 dhjetor të vitit 2024 dhe kemi qenë brenda afateve ligjore. Po ashtu deri më 9 shkurt ka pasur afat që të futet si pjesë brenda buxhetit të Kosovës, por nuk e ka bërë. Pastaj e ka shfrytëzuar këtë arsyetim se pas kësaj nuk është konstituuar parlamenti dhe tash nuk po mundem”, tha ai.

Në dorëzimin e kërkesë-padisë ishte i pranishëm edhe nënkryetari nga Komuna e Prishtinës, Shkëmb Manaj, i cili tregoi aspektet juridike se pse sipas tij Ministria e Financave ka bërë shkelje kushtetuese me bllokimin e 35 milionëve të vitit 2024 për kryeqytetin.

“Çështjet që e kemi ngritur sot në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë të bëjnë me vendimin për mos përfshirje të buxhetit për vitin 2025. Në momentin që vendimi i Kuvendit nuk përfshihet në ligjin për buxhet, ai e përcakton kufijtë buxhetor të komunës në buxhetin paraprak. Çka është duke ndodhur që me ditë secili prej jush, 35 milionë euro që janë bllokuar Komunës së Prishtinës janë të planifikuar në Ligjin për Buxhet të vitit 2024. Këtë rast Komuna e Prishtinës është duke u goditur dyfish. E para që nuk është përfshirë vendimi i Kuvendit për buxhetin për vitin 2025 dhe në anën tjetër, shkelja e dytë janë 35 milionët që kemi ngritur çështjen në Gjykatën Kushtetuese që kanë të bëjnë me buxhetin e vitit 2024 i cili është planifikuar me ndarjet buxhetore të vitit 2025”, theksoi ai.

Kryetari Rama tha se “35 milionë eurot e bllokuara” janë të ndërlidhura me projekte kapitale të kryeqytetit si dhe pagesa për shujtat për fëmijë dhe familjeve me nevoja sociale.

“Janë të ndërlidhura me projektet kapitale të kryeqytetit. Kjo ndërlidhet me platformën, sheshin Xhorxh Bush, pagesën e shujtave për fëmijët tanë, ndërlidhet me pagesën e familjeve me nevoja sociale, pra fondet janë të bllokuara. Po ashtu edhe pagesat për shërbimet publike, pagesat për trafikun urban dhe të tjera”, theksoi ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vazhdimisht ka akuzuar qeverinë tashmë në detyrë se po bllokon projektet në kryeqytet. Ndër polemikat më të mëdha kanë qenë sa i përket ndërtimit të sheshit “Xhorxh Bush”, ku punimet janë ndalur nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, dikaster brenda Ministrisë së Kulturës, siç është thënë se në këtë zonë ndodhen disa monumente kulturore.

Ndërkohë ministri në detyrë i Financave Punëve dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte thënë se komuna ishte vonuar në miratimin e buxhetit.

“Buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale deri më 30 shtator, në mënyrë që të përfshihet në Ligjin e Buxhetit që Qeveria ia dërgon Kuvendit më së voni më 31 tetor”, kishte shkruar Murati.