Rafuna: Dialogu publiko-privat nuk ka alternativë

Lulzim Rafuna i cili javë më parë është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka deklaruar se dialogu publiko-privat në Kosovë nuk ka alternativë. Ai tha se OEK në bazë të ligjit është në shërbim të biznesit dhe do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës që të kemi më shumë zhvillim ekonomik në…

Lajme

09/08/2022 09:36

Lulzim Rafuna i cili javë më parë është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka deklaruar se dialogu publiko-privat në Kosovë nuk ka alternativë.

Ai tha se OEK në bazë të ligjit është në shërbim të biznesit dhe do të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës që të kemi më shumë zhvillim ekonomik në vend.

“Ne së bashku me institucionet e Kosovës do tu dalim në ndihmë bizneseve. Është koha që oda të ri organizohet dhe të zhvillohet, OEK në bazë të ligjit për institucionet është krah i saj”, tha Rafuna sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK.

Sipas tij OEK është institucion që i përfaqëson bizneset. “Oda Ekonomike e Kosovës, është faktor shumë i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe për këtë me ligj është e rregulluar çdo gjë. Brenda ligjit ka edhe shërbime publike duke lëshuar certifikata dhe duke ofruar shërbime për biznese”, deklaroi ai.

Rafuna ka folur edhe për remitancat e që sipas tij duhet të jenë në zhvillim të ekonomisë së Kosovës.

I pari i OEK-ut tha se Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të jetë opozitë e qeverisë së Kosovës, por do të mundohet që së bashku me të të jetë në shërbim të koordinimit të aktiviteteve për të mirën e bizneseve që veprojnë në Kosovës.

“OEK-u do të jetë partnere e institucioneve të Kosovës, bizneset e Kosovës nuk janë anti biznese. Dy hallkat biznes-qeveri janë në shërbim të zhvillimit të vendit”, pohoi ai.