Racizmi ndaj Koulibaly – reagojnë nga Federata e Senegalit dhe nga Atalanta

Gjatë ndeshjes Atalanta – Napoli, e vlefshme për xhiron e 31-të të Serie A, pos futbollit, pati edhe diçka krejtësisht të kundërt me sportin.

Sport

05/04/2022 14:29

Mbrojtësi i “napoletanëve” Khadou Koulibaly ishte pre e disa thirrjeve raciste në drejtim të tij.

Në lidhje me këtë dukuri, e cila nuk është për herë të parë ndaj këtij lojtari ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Senegalit.

“Me zakonet e tyre të turpshme, disa tifozë të Atalantës nga Bergamo rikthyen thirrjet raciste dhe ngacmimet ndaj kapitenit dhe liderit tonë, Kalidou Koulibaly”, shkruan ata, transmeton lajmi.net.

“Këta idiotë pa tru nuk kanë vend në stadium. Forca Koulibaly, i tërë populli senegalez të mbështet ty dhe janë krenarë për trimërinë e kurajën që tregon”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Në lidhje me këtë situatë të pakëndshme reagoi edhe futbollisti i kësaj skuadre, De Roon, i cili ka kërkuar falje për gjestin e bërë nga tifozët.

“Është trishtuese që ka ende racizëm në futboll. Dua t’i kërkoj falje Koulibalys për gjestin e tifozëve”, shkroi ai në Tëitter.

Ndeshja Atalanta – Napoli u mbyll 1-3, me katër herë kampionët italianë që vazhdojnë ndjekjen e titullit kampion në Itali. /Lajmi.net/