Qytetarët maqedonas sërish në shesh kundër vendimit të Ivanov

Për të pestën ditë me radhë, qindra qytetarë maqedonas kanë zbarkuar në sheshin qëndror të Shkupit kundër amnistisë së Ivanov për zyrtarët e lartë.

Lajme

15/04/2016 21:59

Mbledhja e protestuesve ka nisur prej orës 18:00, fillimisht para Prokurorisë Speciale Publike.

Më pas ata janë zhvendosur para Kuvendit. Në shesh ka prani të shtuar policore.

Shumë qytetarë u bien bilbilave, ndërsa mbajnë në duar flamuj dhe parulla. Dëgjohen thirrje : “Jep dorëheqjen Ivanov!” dhe “ Mbështetje Prokurorisë Speciale Publike”.

Kërkesat mbeten të njëjta. Përveç dorëheqjes së Ivanov, ata kërkojnë edhe fillimin e një proçesi për zgjedhjen e një qeverie teknike e cila do të hapë rrugën për zgjedhje të lira dhe të besueshme dhe në të njëjtën kohë për pezullimin e procesit të filluar të shpalljes së zgjedhjeve parlamentare më 5 qershor.

Katër ditë më parë, Presidenti maqedonas shpalli vendimin e tij për pushimin e hetimeve për 56 persona, kryesisht zyrtarë dhe ndihmës të tyre lidhur me skandalin e përgjimeve.

Amnisitinë e tij, Ivanov e argumentoi si një përpjekje për t’i dhënë fund krizës politike.