Qytetarët e Skenderajt: Të dytë janë njëjtë, si Bekim Jashari si Sami Lushtaku (Video)
Befasia më e madhe me kandidaturat po ndodh në Skenderaj. Kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, është tërhequr nga gara për t`ia dhënë mundësinë Bekim Jasharit që të zgjidhet kryetar komune.

Lajme
Dega e PDK-së në krye me Lushtakun kanë vendosur që të mos e kandidojnë askënd dhe t`i japin mbështetje djalit të heroit të kombit, Hamzë Jashari. Lushtaku, i cili nuk e kishe shpallur fare kandidaturën, tha se do jetë nder për qytetin e Skenderajt që të udhëhiqet nga një anëtar i Familjes Jashari.
Ai është tërhequr përfundimisht nga gara që ta udhëheqë këtë qytet, për t`i hapur rrugë djalit të Heroit të Kombit Hamëz Jashari, Bekimit.
Në një përgjigje për lajmi.net përmes telefonit, kryetari aktual Sami Lushtaku, i cili është edhe kryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, ka konfirmuar mos kandidimin e tij në garën edhe për një mandat si kryetar komune.
Ai tha se PDK në këtë qytetet do ta mbështesë kandidatin e pavarur për kryetar komune, Bekim Jasharin. Për më tepër, Lushtaku tha se kandidatura e Jasharit është nder për Skenderajn.
Kryetrari i Skenderajt tha se kryesia e PDK-së ka vendosur të mos e shpallë asnjë kandidat, për t`ia dhënë kështu mundësinë Bekim Jasharit që të vijë në krye të Skenderajt pas zgjedhjeve të 22 tetorit.
Këtë vendim qytetarët e Skenderajt të cilët tradicionalisht e kanë votuar Lushtakun për kryetar, e kanë cilësuar si gjest burrëror të gjeneralit të luftës.
Ata madje nuk shohin dallim mes Lushtakut dhe familjes Jashari.
Bekim Jashari i cili tashmë ka filluar aktivitetet për kandidaturën e tij për kryetar të Skenderajt, nuk ka dashur të flasë, por më herët për mediet ka thënë se Skenderaj ka nevojë për ndryshime dhe kjo është arsyeja që, sipas tij, t`i futet kësaj gare. /RTK/