QKMF-ja në Klinë sqaron vdekjen e pacientes: Pësoi reaksion alergjik nga infuzioni – Policia u angazhua për përshpejtimin e transportit drejt Pejës

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nënë Tereza” në Klinë ka reaguar zyrtarisht lidhur me vdekjen e 43-vjeçares, e cila ndërroi jetë pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë marrjes së trajtimit mjekësor në këtë institucion. Në një komunikatë për media, QKMF-ja ka bërë të ditur se pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te…

Lajme

14/11/2026 12:37

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nënë Tereza” në Klinë ka reaguar zyrtarisht lidhur me vdekjen e 43-vjeçares, e cila ndërroi jetë pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua gjatë marrjes së trajtimit mjekësor në këtë institucion.

Në një komunikatë për media, QKMF-ja ka bërë të ditur se pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion, transmeton lajmi.net.

Sipas njoftimit, menjëherë pas fillimit të infuzionit, pacientja kishte shfaqur reaksion alergjik, pas së cilit ishte dërguar në urgjencën e QKMF-së.

Aty, mjeku internist dhe pjesa tjetër e stafit mjekësor kishin ndërmarrë trajtimin e nevojshëm për reaksionin alergjik.

Megjithatë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes, ishte vendosur që pacientja të transferohej me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal në Pejë, e shoqëruar nga një mjek dhe një infermier.

QKMF-ja ka bërë të ditur se për përshpejtimin e transportit ishin angazhuar edhe njësitë policore të Klinës, për shkak të ngarkesës në trafik.

“Gjatë pjesës më të madhe të rrugës është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë pacientja është intubuar. Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë”, thuhet në komunikatë.

Ky reagim vjen pas raportimeve se autoambulanca që transportonte pacienten nuk kishte sirenë dhe drita emergjente, për çka ishte kërkuar përcjellja nga Policia e Kosovës.

Megjithatë, në komunikatën e saj, QKMF-ja nuk ka dhënë sqarime lidhur me gjendjen e pajisjeve të sinjalizimit emergjent të autoambulancës.

Institucioni ka bërë të ditur se rasti është nën hetim nga organet kompetente dhe se do të bashkëpunojë me to, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.

Në fund, QKMF-ja ka shprehur ngushëllime për familjen e pacientes, duke bërë të ditur se nuk do të komentojë më tej për rastin derisa të përfundojnë hetimet./lajmi.net/