“Qielli i Thyer, Laboratori ’25” dhe rasti ku u intervistua Faton Peci, disa nga aksionet më të mëdha të Prokurorisë Speciale të 2025-ës, rreth 40 persona në paraburgim

Gjatë vitit 2025, Prokuroria Speciale e Kosovës ka intensifikuar ndjeshëm luftën kundër krimit të organizuar, falsifikimit, narkotikëve dhe korrupsionit, përmes një sërë operacionesh të koduara që si raste kanë tronditur skenën institucionale dhe të hetuesisë në vend. Numër i madh i prokurorëve janë angazhuar vazhdimisht për të hetuar raste të shumta të krimit në Kosovë,…

Lajme

04/01/2026 21:11

Gjatë vitit 2025, Prokuroria Speciale e Kosovës ka intensifikuar ndjeshëm luftën kundër krimit të organizuar, falsifikimit, narkotikëve dhe korrupsionit, përmes një sërë operacionesh të koduara që si raste kanë tronditur skenën institucionale dhe të hetuesisë në vend.

Numër i madh i prokurorëve janë angazhuar vazhdimisht për të hetuar raste të shumta të krimit në Kosovë, e ku në disa raste të përfshirë si të dyshuar ishin edhe zyrtarë shtetërore.

Hetimet e kryera në këto raste shpesh herë më pas kanë rezultuar edhe me arrestimin e personave të implikuar.

Gjatë këtij viti, përmes këtyre aksioneve Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arritur të arrestoj dhjetëra njerëz, e të thyej disa grupe kriminale.

Një ndër aksionet më të mëdha të këtij viti, është rasti i koduar “Qielli i Thyer”. Në lidhje me këtë rast, Prokuroria Speciale përmes një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se 33 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa vlera e pasurisë së sekuestruar arrin shumën rreth 80 milionë euro.

Aksioni i parë në kuadër të operacionit “Qielli i Thyer” ishte zhvilluar më 03.06.2025, teksa ishin arrestuar 22 persona.

Dosja e 22 personave të arrestuar në këtë aksion tregon se si përmes rrugëve detare ishte bartur droga e cila porositej në Iran, Turqi e Ekuador, nga grupi i dyshuar.

Dosja përshkruan se droga fillimisht u porosit në shtete të Amerikës së Jugut, Iranit e Turqisë, e më pas u soll në Kosovë – për t’u transportuar sërish në vende të Bashkimit Europian.

Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Ismajli, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiku, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajiç, ishin të arrestuarit e dyshuar në aksionin policor të emëruar “Qielli i Thyer” në 45 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Viti, Suharekë e Pejë.

Gjykata kishte caktuar 30 ditë paraburgim ndaj tyre pasi ata dyshohen se janë përfshirë në trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës.

Dosja hetimore tregonte se grupi dyshohet se në një periudhë kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera me dashje dhe dijeni kanë kryer veprimtari të përgjithshme në mënyrë të organizuar për të kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike. E nga kjo veprimtari grupi dyshohet se pati fitim milionësh.

Bartja e narkotikëve në bazë të dosjes thuhet se është bërë përmes kontejnerëve të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunkerë në formë të kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluar ekstra për fshehjen e narkotikëve.

Rruga e cila është përshkruar është përmes rrugëve tokësore, porteve detare në Shqipëri, Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.

Gjithashtu në dosje përshkruhet edhe se pjesëtarët e grupit kishin bërë përzierjen e narkotikëve me sodë bikarboni dhe përbërës të tjerë me qëllim të shtimit të peshës e më pas ishte paketuar me anë të një makine me presion dhe përsëri narkotikun e vendosnin duke e kamufluar në mjetet e transportit.

Pas pranimit të drogës në Kosovë, grupi dyshohet se më pas përmes mjeteve të transportit shisnin në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete tjera të BE-së.

Aktivitetin të dyshuarit sipas Policisë dhe Prokurorisë e bënin edhe në bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 16.08.2024 pas sigurimit të informacione nga raportet analitike kishte nisur një hetim ndaj Kujtim Nezirajt, Ardian Mazrekajt dhe Edin Berishës për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim me drogë.

Në vazhdën e operacionit të zhvilluar më 24.09.2025, shtatë persona ishin arrestuar gjatë aksionit të gjerë policor të koduar me emrin “Qielli i Thyer”, i zhvilluar në rajonet e Prishtinës dhe Pejës.

Në komunikatën e përbashkët, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kishin bërë të ditur se operacioni ishte kryer në bazë të urdhrit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka përfshirë 25 lokacione të ndryshme.

“Si rezultat janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave”.

Gjatë bastisjeve, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme provash materiale, përfshirë: 638 gramë substancë narkotike të dyshuar si kokainë, një peshore për matjen e narkotikëve, 11,065 euro para të gatshme, 34 automjete, 7 armë zjarri dhe dokumente personale me identitet të rremë, pajisje elektronike, si dhe dokumentacion pronësor e financiar.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.

Rasti i dytë që Prokuroria Speciale ka dhënë detaje për lajmi.net, është rasti i koduar “Laboratori ’25”.

Në lidhje me rastin e koduar “Laboratori ’25” për falsifikim dokumentesh, tre të dyshuar ndodhen në paraburgim ndërsa një në arrest shtëpiak.

“Grupi është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar”, ka thënë Prokuroria Speciale.

Më 2 dhjetor të këtij viti, Prokuroria Speciale ka konfirmuar arrestimin e një personi tjetër të dyshuar në kuadër të hetimeve për rastin e njohur si “Laboratori 25”. Bëhet fjalë për N.S., i cili dyshohet për përfshirje në veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”.

Në komunikatën e Prokurorisë Speciale, të lëshuar më 02.12.2025, thuhet se i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Sipas hetimeve të deritanishme, ekziston dyshimi i bazuar se N.S., në bashkëpunim me persona të tjerë, ka qenë i përfshirë në aktivitetet kriminale që lidhen me prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

“Nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar 2025, N.S. në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, në lagjen Qëndresa në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka kryer vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve publike si, pasaporta, patentë-shofera, e dokumente të tjera, të prodhuara për mbi 50 shtete të ndryshme të botës.”- thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, në objektin e marrë me qira në emër të tij, që dyshohet se shërbente si laborator, autoritetet kanë gjetur pajisje të avancuara për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

“Në shtëpinë laborator… janë gjetur aparatura të ndryshme për prodhimin e këtyre dokumenteve të falsifikuara, me qëllimin të prezantimit dhe përdorimit të tyre si origjinale.”- sqaron Prokuroria Speciale.

Operacioni i tretë që Prokuroria Speciale e ka listuar si ndër pesë më të rëndësishmit, është ai i zhvilluar lidhur me dyshimet për posedim dhe shitje të substancave narkotike.

“Në operacionin e parë është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës narkotike, mbi 200 kg, ndërsa në operacionin e dytë rreth 120 kg. Në paraburgim ndodhen dy të dyshuar”, ka thënë Prokuroria Speciale për lajmi.net.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, më 29 tetor 2025, është arrestuar S.J., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

I dyshuari S.J., është ndaluar në rajonin e Prishtinës, dhe në kamionin që e po drejtonte i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substance narkotike, që dyshohet të jetë mbi 200 kg.

Operacioni tjetër është zhvilluar në dhjetor të 2025-ës, nën dyshimet për korrupsion.

“Ai ka qenë rezultat i një hetim të gjatë të udhëhequr nga Prokuroria Speciale, i cili ka rezultuar me arrestimin e shtatë (7) personave të dyshuar. Gjatë operacionit policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L”, ka thënë Prokuroria Speciale e Kosovës për lajmi.net. 

Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë aksion e ka realizuar më 18 dhjetor të këtij viti, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim, armëmbajtje pa leje.

Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore.

“Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave.

“Gjatë kontrollit janë sekuestruar:

– rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme,

– armë,

– bizhuteri,

– dokumente të ndryshme,

-pajisje elektronike,

– Tri (3) vetura.

Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, kishte njoftuar Prokuroria Speciale ditën kur ishte realizuar aksioni.

Operacioni tjetër i zhvilluar gjatë këtij viti, ishte ai në lidhje me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Ky operacion ishte realizuar në Ministri të Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe lokacionin e kompanisë përfituese të konkratës.

Në lidhje me këtë, më pas ishte intervistuar ish-ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Faton Peci dhe zëvendëskryeministri i parë tashmë në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu, me autorizimin tonë, policia me ne është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme, me qëllim të zbardhjes së rastit konkret. Bastisjet janë duke u zhvilluar në katër lokacione: Ministri të Bujqësisë, Agjenci për Zhvillim Bujqësor, Agjenci të Veterinarisë dhe në lokacion të veterinarisë e kompanisë përfituese”, kishte thënë Prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala ditën kur kishte ndodhur rasti.

Kjo bastisje e Policisë që ishte bërë në maj të këtij viti, bazohej mbi kontratën e dyshimtë për fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore, kontratë kjo që është nënshkruar nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci.

Po për cfarë fabrike bëhej fjalë?

Në Parkun Industrial në Drenas, dhjetorin e vitit 2019 kishte përfunduar ndërtimi i fabrikës, ku parashihej të përpunoheshin dhe asgjësoheshin nënproduktet shtazore. Por, funksionalizimi i fabrikës – ndërtimi i së cilës kushtoi 7.7 milionë euro – nisi më 2024, kur u hap thirrja për kompanitë që të aplikonin për marrjen në shfrytëzim të saj dhe për të nisur punën në grumbullimin dhe kategorizimin e nënprodukteve shtazore.

U raportua se kompania kosovare LIP KS & IT SH.P.K. u përzgjodh për ta funksionalizuar fabrikën, me afat operimi për 20 vjet, përkatësisht deri më 2044. U tha se kjo kompani ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) vetëm 5 ditë pas thirrjes për aplikim.

Kësisoj dyshohet se nuk u përmbushën kriteret që fituesi i kontratës të kishte përvojë 12 deri në 15-vjeçare në përpunimin e nënprodukteve shtazore, dhe të dëshmonte se në tre vjetët e fundit kishte përpunuar 20 mijë tonë të nënprodukteve shtazore. Peci dhe Hoxha u intervistuan pasi autoritetet paraprakisht po më 27 maj kryen bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, Agjencinë e Veterinarisë, si dhe në lokacionin e kompanisë përfituese.

Operacioni i pestë i vitit 2025,të cilin Prokuroria Speciale e ka përmendur për lajmi.net, është ai për keqpërdorim të detyrës zyrtare ku u arrestua i dyshuari B.Sh.

“Duhet theksuar se Prokuroria Speciale, së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sigurimit të provave të nevojshme për zbardhjen e rasteve konkrete. Procedurat hetimore, janë duke u zhvilluar brenda afateve ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta për lajmi.net. 

Prokuroria Speciale gjatë këtij viti ka arrestuar dhjetëra persona, ka sekuestruar miliona euro pasuri dhe ka shtrirë operacione në disa sektore, duke e shënuar vitin 2025 si një nga periudhat më aktive të Prokurorisë Speciale në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. /Lajmi.net/