Qeveria reagon pas dënimit të Thaçit: Rezervat ndaj Gjykatës Speciale mbeten të qëndrueshme
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. Përmes një deklarate të publikuar të martën, Qeveria ka thënë se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të…
Lajme
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Përmes një deklarate të publikuar të martën, Qeveria ka thënë se pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit, por ka theksuar se kjo nuk e përjashton të drejtën për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Në këtë drejtim, ekzekutivi ka bërë të ditur se kritikat dhe rezervat e shprehura vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve për një gjykim të drejtë.
“Besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Më tej, Qeveria ka theksuar se angazhimi për sundimin e ligjit dhe kërkesa për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor.
“Drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Reagimi vjen pasi më 17 nëntor 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve të tij në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë. /Lajmi.net/